Një sasi prej rreth 400 kilogramësh kokainë është sekuestruar nga Policia në Kosovë. Droga ishte e fshehur në një kontenier me mish dhe mbahej nën vëzhgim. Ngarkesa dyshohet se ishte nisur nga Brazili, kishte pasur një ndalesë në Itali, e më pas në Portin e Durrësit ku ishte mbajtur nën vëzhgim. Pas kësaj, kontenieri kishte udhëtuar drejt Kosovës, ku dhe u bë kapja e saj. Deri në këto momente nuk ka ende një komunikim zyrtar, qoftë nga autoritetet kosovare, qoftë nga ato shqiptare.

Lënda narkotike mësohet se është nisur nga Amerika Latine dhe ka kaluar përmes portit të Durrësit ndërsa ka qenë e fshehur në një kontenier me mish. Nga autoritetet portuale të Durrësit thuhet se kokaina është pikasur nga policia e portit, por nuk është ndaluar me qëllim për t’u mësuar destinacioni i saj final.

SPAK, i vënë në dijeni nga autoriteti italian ka ndjekur dhe vëzhguar kontenierin në bashkëpunim me autoritetet e vendit fqinj, më pas është bërë lëvizja e vëzhguar e kontenierit dhe është ndaluar në Kosovë, pasi u është dorëzuar autoriteteve të Kosovës. Gjithçka është kryer në bashkëpunim. Kreu i SPAK thotë se kishin informacion, por nuk ishin të sigurt se për çfarë sasie bëhej fjalë.