Situata në zonat perëndimore dhe jugore të Gjermanisë të prekura nga shirat dhe përmbytjet mbetet e tensionuar.

Ndërsa në disa zona të Gjermanisë banorët kanë nisur me rregullimin e dëmeve, në zona të tjetra e vetmja gjë që ata mund të bëjnë është të presin deri sa të të tërhiqen masat e ujit.

Ndoshta lajmi më i mirë i ditës për shumë vetë është parashikimi i motit. Sipas tij nuk priten reshje të forta dhe rreziku për fryrjen e lumenjve duket se për momentin është shmangur.

Sidoqoftë rreziku për përmbytje të tjera mbetet i lartë, veçanërisht në jug dhe lindje të Bavarisë, sepse nga reshjet e shiut të ditëve të fundit po rritet gradualisht niveli i përrenjve dhe i lumenjve.

Në Passau, për shembull, niveli i ujit të lumit Danub ka arritur në 8.5 metra, dhe autoritetet kanë dhënë paralajmërim për përmbytje. Shëtitorja në breg të lumit dhe zonat e parkimit përgjatë lumit janë përmbytur tashmë dhe banorët po mbrojnë shtëpitë me thasë dhe barriera.

Numri i viktimave të konfirmuara për shkak të përmbytjeve shkatërruese në Gjermani arriti gjatë fundjavës në më shumë se 160 vetë.

Policia njofton se ka arritur të kontaktojë përmes telefonit me më shumë se 700 vetë që konsideroheshin të zhdukur prej katastrofës në Nordrhein-Westfalen.

Në zonat e katastrofës janë në kërkim të personave të tjerë të zhdukur 250 policë, zjarrfikës dhe punonjës të Entit për Fatkeqësi Natyrore. Sipas policisë në qarkun Rhein-Sieg dhe në rrethin Euskirchen janë rreth 150 vetë që konsiderohen ende si të zhdukur. DW