Shqipëria është vendi me riskun më të lartë nga katastrofat natyrore në të gjithë Europën. Ky është vlerësimi që bën Indeksi i Riskut Botëror, një publikim që analizon si ekspozimin ndaj katastrofave të ndryshme, ashtu edhe kapacitetet përballuese të një vendi për të kapërcyer këto kriza.

Zjarret, thatësirat, përmbytjet, tërmetet dhe katastrofat e tjera i kushtojnë Shqipërisë mesatarisht 2,5% të GDP-së çdo vit, duke ndikuar në jetët e mijëra personave dhe në aktivitetin e shumë bizneseve, veçanërisht në fushën e bujqësisë.

Por pavarësisht riskut të madh, Shqipëria nuk ka bërë asnjë progres për t’u përgatitur në raste të tilla. Mungesa e kapaciteteve përballuese llogaritet sipas studimit të fundit në 74.99% të rasteve, teksa 4 vite më parë, ky tregues ishte më i ulët, në 74.23%. Pra, Shqipëria është përkeqësuar në këtë drejtim dhe është e varur ndjeshëm nga ndihma e shteteve fqinje, siç ndodhi në rastin e tërmetit të 26 Nëntorit 2019, kur operacionet e shpëtimit u drejtuan thuajse tërësisht nga të huajt.

Një auditim i Kontrollit të Lartë të Shtetit gjatë vitit 2020 pranë Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile zbuloi se kjo agjenci ishte e paplotësuar me burime njerëzore, pa një strategji Kombëtare për Zvogëlimin e Riskut nga Fatkeqësitë, pa regjistër ngjarjes të ndodhura, me një koordinim të dobët me institucionet e tjera, me komunikim që bëhet përmes Whatsapp-it dhe pa asnjë informacion paralajmërues për fatkeqësitë.

Një vit më pas, këto problematika rezultojnë se janë adresuar vetëm pjesërisht.

Ndërsa mbi këtë institucion, rëndojnë edhe shumë detyrime të prapambetura. Konkretisht, 711 milionë lekë për dëmshpërblimet e përmbytjeve dhe tërmeteve të rëna në vend përgjatë viteve, si dhe 146 milionë lekë për operacionet e fikjes së zjarreve në vitin 2017-raporton A2,

Por pavarësisht borxheve dhe verës së zjarreve në horizont, qeveria i uli buxhetin këtij institucioni me rreth 124 milionë lekë me aktin e fundit normativ të qershorit.

Situata nuk është më mirë as te 61 bashkitë, që pas reformës territoriale kanë si detyrë Mbrojtjen nga Zjarret. Në pushtetin vendor rezultojnë sot të punësuar 1250 punonjës zjarrfikës, 500 më shumë se në vitin 2014. Në rritje edhe numri i stacioneve të zjarrfikëseve, nga 38 në 70, si dhe numri i automjeteve, nga 105 në 150.

Megjithatë, situata mbetet kritike me mesatarisht 500 raste zjarresh dhe rreth 8,400 hektarësh të djegur çdo vit, më e lartë edhe se mesatarja e 3100 hektarësh përpara reformës. Arsye pse bashkitë dhe ekspertët kanë apeluar vazhdimisht për më shumë fonde për emergjencat.