Komisioni Europian ka sinjalizuar sot se vendi ynë është më afër mbajtjes së konferencës së parë ndër-qeveritare që do të çelë zyrtarisht negociatat me BE-në, duke thënë se Shqipëria i ka plotësuar të gjitha kushtet, përveç ngritjes së Gjykatës Kushtetuese.

Në raportin e Komisionit Europian, Shqipëria vlerësohet se ka shënuar progres të mirë në të gjitha reformat kyçe. Gjykata Kushtetuese mbetet i vetmi kusht ende i paplotësuar për Konferencën e parë të anëtarësimit, sipas raportit,  e cila pritet të ngrihet në janar sipas zotimit të zyrtarëve.

Në raportin e tij, KE vlerësohen hapat e hedhura në drejtim të ngritjes së sistemit të ri të Drejtësisë, por thekson se ambienti politik në Shqipëri mbetet mjaft i polarizuar pavarësisht tentativave të ndërkombëtarëve për t’i ulur palët në një marrëveshje.

Shqipëria ka 15 kushte për të plotësuar dhe në këndvështrimin e Komisionit Europian, vendi ynë ka 6 parakushte që ata konsiderojnë se duhen plotësuar, përpara se të hapen negociatat e anëtarësimit me BE.

Këto 6 parakushte kanë të bëjnë me Reformën Zgjedhore, Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë, ngritjen e organeve të drejtësisë në luftën me krimit, ligji për mediat dhe masat që janë marrë nga qeveria për uljen e emigracionit, si dhe me goditjen e aseteve që kanë të bëjnë me krimin e organizuar.

Në lidhje me ndryshimin e Kodit Zgjedhor, KE thekson se palët u morën vesh në 5 qershor, por Parlamenti i Shqipërisë miratoi disa amendamente, të cilat nuk patën miratimin e të gjitha palëve politike. “Megjithë marrëveshjen e 5 qershorit, e cila ishte në tregues pozitiv, dialogu mes palëve politike në Shqipëri duhet që të zgjerohet“, shkruhet në raport.

Raporti bën një përmbledhje të situatës politike në vendin tonë pas djegies së mandateve nga opozita, bojkotimin e zgjedhjeve të 30 qershorit, përpjekjeve për shkarkimin e presidentit Ilir Meta dhe bisedimet e fundit për reformën zgjedhore.

“Më 5 qershor të vitit 2020, Këshilli Politik arriti një marrëveshje në përputhje me rekomandimet e OSBE / ODIHR. Palët ranë gjithashtu dakord për të futur identifikimin elektronik të të gjithë votuesve për të ristrukturuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe Kolegji Zgjedhor të përbëhet nga gjyqtarë të verifikuar. Ndryshimet në kodin zgjedhor u miratuan nga Parlamenti në 23 korrik 2020, në përputhje me marrëveshjen e 5 qershorit 2020”, thekson raporti. “Përveç kësaj, Parlamenti miratoi në 30 korrik disa ndryshime në Kushtetutë në lidhje me sistemin zgjedhor. Këto ndryshime që nuk kanë lidhje me zbatimin e rekomandimeve të OSBE / ODHIR kërkuan ndryshime të mëtejshme në kodin zgjedhor të cilat u diskutuan midis partive në Këshillin Politik, por pa arritur një kompromis para se Parlamenti t’i votojë ato në 5 yetor. Pavarësisht nga rezultati pozitiv i marrëveshjes së arritur në 5 qershor 2020, dialogu politik në vend duhet të përmirësohet, veçanërisht për reformën zgjedhore dhe zbatimin e saj.”

Shqipëria është mesatarisht e përgatitur në reformën e administratës publike. Përpjekjet vazhduan në disa fusha. Këto arritje të prekshme kanë nevojë për konsolidim të mëtejshëm.

Sistemi gjyqësor i Shqipërisë është i përgatitur mesatarisht. Zbatimi i një reforme gjithëpërfshirëse dhe të plotë të drejtësisë ka vazhduar, duke rezultuar në progres të mirë. Institucionet e reja për vetëqeverisjen e gjyqësorit kanë kryer detyrat e tyre, duke përfshirë menaxhimin e proceseve për të mbushur vendet e lira në Gjykatën e Lartë dhe Gjykatën Kushtetuese.

“Shqipëria po bën përparim për të rindërtuar Gjykatën Kushtetuese dhe ka emëruar tre anëtarë të rinj. Kjo siguron bazën që Gjykata Kushtetuese të rimarrë funksionalitetin. dhe të rrisë besimin e publikut. Në Dhjetor 2019, Gjykata kishte një gjyqtar në detyrë nga nëntë si rezultat i Vetingut. Gjykata tani ka katër anëtarë. Kishte një mosmarrëveshje në lidhje me procedurën e emërimit të njërit prej gjykatësve të fundit të emëruar”, thekson raporti.

Rivlerësimi i përkohshëm i të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve (procesi i verifikimit) ka përparuar në mënyrë të vazhdueshme, duke vijuar të prodhojë rezultate të prekshme, duke përmbushur kushtin për KPGJ-në e parë. Më shumë se 286 dosje janë përpunuar deri më tani, duke rezultuar në 62% shkarkime, kryesisht për çështje që lidhen me pasuri të pajustifikuara ose dorëheqje.

Korrupsioni

Shqipëria ka një nivel  të caktuar të përgatitjes në luftën kundër korrupsionit. Progres i mirë është bërë në periudhën raportuese. Autoritetet shqiptare forcuan kapacitetet operacionale, koordinuese dhe monitoruese në luftën kundër korrupsionit, duke përmbushur kështu kushtin për KLGJ.

“Megjithëse verifikimi i anëtarëve të gjyqësorit është një proces administrativ, është e rëndësishme të vlerësohen rezultatet konkrete nga Shqipëria për të luftuar korrupsionin. Ato përfshijnë shkarkimin nga detyra të një numri gjyqtarësh të rangut të lartë, duke përfshirë nivelin e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë”, thekson raporti.

“Ndërsa numri i hetimeve në vazhdim mbetet i lartë, deri më sot, dënimet përfundimtare në rastet që përfshijnë zyrtarë të nivelit të lartë mbeten të kufizuara. Organet e posa themeluara të specializuara anti-korrupsion (SPAK dhe Gjykatat Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar) pritet të forcojnë ndjeshëm kapacitetin e përgjithshëm për të hetuar dhe ndjekur penalisht korrupsionin. Megjithatë, në përgjithësi, korrupsioni mbetet i përhapur dhe është një shqetësim serioz”, thotë raporti.

Komisioneri për Zgjerim u BE-së, Olivér Várhelyi dhe kryeministri Edi Rama gjatë një konference për shtyp. 

Krimi i organizuar

Shqipëria ka një nivel mesatar të përgatitjes në luftën kundër krimit të organizuar. Shqipëria ka bërë përparim të mirë në forcimin e luftës kundër krimit të organizuar, përfshirë përmes bashkëpunimit me Shtetet Anëtare të BE dhe përmes planit të veprimit për të adresuar rekomandimet.

Si në vitet e kaluara, Shqipëria tregoi gjithashtu në 2019 një angazhim të fortë, të vazhdueshëm për të kundërshtuar prodhimin dhe trafikimin e kanabisit. Përpjekjet duhet të vazhdojnë, për të siguruar rritjen e ndjekjeve penale dhe dënimet përfundimtare, si dhe luftimin e pastrimit të parave dhe konfiskimin e pasurive që vijnë nga krime dhe pasuri të tjera të pajustifikuara.

“Bashkëpunimi ndërkombëtar i policisë, veçanërisht me Shtetet Anëtare të BE-së, është intensifikuar gjithashtu, duke çuar në një numër operacionesh të suksesshme të zbatimit të ligjit në shkallë të gjerë gjatë vitit 2019, gjithashtu duke vazhduar në vitin 2020. Bashkëpunimi midis policisë dhe prokurorëve u intensifikua më tej. SPAK u pajis me një sërë mjetesh të rëndësishme hetimore. Këto hapa përfaqësojnë një progres të prekshëm në përmbushjen e rekomandimeve të viteve të fundit”, thotë raporti.

Pronat

Nevojitet progres i shpejtë për avancimin e procesit të regjistrimit të pronave. Shqetësimet janë ngritur nga qytetarët që i përkasin pakicës greke në lidhje me të drejtat e pronës në rajonin bregdetar jugor.

Media

Sa i përket lirisë së shprehjes, vendi është mesatarisht i përgatitur. Në dhjetor 2019, Parlamenti miratoi një sërë ndryshimesh në ligjin e medias. Ndryshimet nuk janë në standardet dhe parimet ndërkombëtare të lirisë së medias dhe ngrenë shqetësime në lidhje me rritjen e censurës dhe vetëcensurës, dhe rreth pengesave të mundshme të lirisë së shprehjes në vend. Përfaqësuesit nga shumica qeverisëse u angazhuan publikisht për të ndjekur udhëzimet e opinionit të Komisionit të Venecias. Projektligji për mediat aktualisht po rishikohet.

BE plan ekonomik për Ballkanin

Ndërkohë që pritet dalja zyrtare e raportit, e cila do t’i dorëzohet Shqipërisë nëser nga Komisioneri për zgjerimin dhe fqinjësinë në Bashkimin Evropian, Oliver Varhelyi, KE konfirmoi sot edhe një “Plan Ekonomik” dhe të investime  për rajonin.

Varheli deklaron se unioi planifikon investime të përqendruara dhe strategjike për të mundësuar zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë për t’i afruar më tej me BE-në në vitet e ardhshme.

“Duke ecur drejt të ardhmes, fokusi ynë është mbështetja e rimëkëmbjes afat-gjatë ekonomiko-sociale dhe të afrimit ekonomik të rajonit me BE-në,”  deklaroi komisioneri. “Do të ketë një përqendrim të fortë mbi ndërlidhjen në rajon dhe me BE-në. Kushdo që udhëton në rajon apo drejt tij e di sa e vështirë është kjo gjë, edhe në kohët e paprekura nga Covidi. Do të adresojmë sfidat e tranzicionit të gjelbër dhe atij digjital. Dhe për të mbështetur zhvillimin ekonomik do të mbështesim edhe vetë njerëzit : edukimi, shëndetësia dhe mbrojtja sociale do të luajnë një rol të rëndësishëm.”

Varhelyi shprehet se Komisioni “ka punuar në tre shina kryesore”: ringjalljen e procesit të zgjerimit; të hapë negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut; si dhe të shpejtojë afrimin ekonomik të rajonit me BE-në. Ajo çka përbënte risi  ishte ndërkohë përqendrimi tek Plani Ekonomik dhe i Investimeve, për të cilin po punohet prej disa muajsh.

Sipas tij të gjithë kryeministrat e rajonit kanë ndarë vizionin e tyre për projekte të bashkë-ndara drejt një rimëkëmbje dinamike në terma afat-mesëm. Qëllimi i Komisionit Evropian është që deri në vitin 2024 të jetë ecur në mënyrë thelbësore në ndërlidhjen rajonale dhe afrimin me BE-në. Plani ekonomik dhe i investime pritet sipas tij të forcojë bashkëpunimin rajonal dhe të krijojë punësim dhe përfitime si për bizneset edhe për qytetarët.

Varlhelyi shpjegoi se në gjashtë muajt e kaluar Komisioni ka punuar ngushtë me qeveritë e Ballkanit, me sekretariatet e Këshilit të Bashkëpunimit Rajonal dhe të CEFTA-s, për të zhvilluar një vizion të ri për fushën e ekonomisë rajonale, e kjo përpara mbajtjes së Samitit të Sofjes BE-Ballkan të parashikuar për në muajin nëntor.

“Integrimi ekonomik rajonal nuk është një anashkalim i rrugëtimit evropian por një mjet për të ngritur rritjen ekonomike, për të kapërcyer krizën nga pandemia dhe për të modernizuar ekonomitë dhe bizneset e rajonit në përputhje me përparësitë e vetë BE-së, si dhe për t’i sjellë ato më pranë tregut të përbashkët evropian. Ky integrim është pjesë tërësore e procesit të anëtarësimit në BE të rajonit,” theksoi Komisioneri për Zgjerimin.