Të martën, në emisionin Inside Story në Top Channel u transmetua një material për me mënyrën se si shpenzohen fondet IPARD në Shqipëri. Emisioni me titullin bombastik “Gllabërimi i fondeve të bujqësisë” solli disa raste kur fermerë që punonin qindra hektarë tokë nuk kishin përfituar asgjë nga AZHBR, që menaxhon dhjetëra miliona euro fonde nga Bashkimi Europian.

Sipas gazetarëve të Inside Story paratë nuk shkojnë tek fermerët, por tek njerëz të lidhur me pushtetin. Ndër emrat që nxori Top Channel si përfitues të këtyre fondeve ishte kunati i Saimir Tahirit, bashkëshortja e kryetarit të Bashkisë së Divjakës, Fredi Kokoneshit, një kandidat socialist për deputet etj.

Por kryeministri Edi Rama, që prej disa javësh thotë se Top Channel bën shantazh ka publikuar një kërkesë që AZHBR-së i ka ardhur nga televizioni kombëtar. Top Channel ka kërkuar 120 milion lekë të vjetra për të bërë 50 episode televizive dhe 300 video-spote që do të pasqyronin punën e AZHBR-së. Transmetimi i këtyre materialeve sipas Top Channel do të ishte nga marsi deri në dhjetor të vitit 2022.

Ky është, sipas Ramës “shantazhi mediatik”, që po i bëhet nga Top Channel.

“Ja për shembull se si funksionon shantazhi mediatik. Kërkohen 120mln lek nga AZHBR për t’u treguar shqiptarëve kudo ndodhen sa mirë po ecën Shqipëria rurale. AZHBR s’e plotëson dot kërkesën e shpjeguar në shumë faqe se si e qysh tërë dynjaja do shohë shqip/anglisht suksesin e saj!” shkruan Rama në Twitter, pasi ka publikuar kërkesën e Top Channel.

“Atëherë pllaka kthehet përmbys dhe dynjasë i jepet një emision i tërë me gllabërim parash të bujqësisë, një fabrikim nga fillimi në fund me gjysmë të vërteta që janë edhe gënjeshtrat më të mëdha, e ngjashme si dy pika uji me një fabrikim nga i njëjti kanal për Rilindjen Urbane,” – shtoi Rama.