Këshilli i BE-së ka marrë vendimin për të mos i njohur zgjedhjet presidenciale të mbajtura në Bjellorusi më 9 gusht. Këshilli i BE-së i ka konsideruar zgjedhjet si jo të lira dhe të rregullta dhe për rrjedhojë nuk do të marrë parasysh rezultatin e tyre.

Duke shprehur solidaritet për popullin bjellorus dhe dëshirën e tyre për të shprehur të drejtat fondamentale të demokracisë, Këshilli i BE-së ka paralajmëruar vendosjen e sanksioneve ndaj disa personaliteteve të këtij vendi për dhunë, represion dhe falsifikim të rezultatit të zgjedhjeve.

Këshilli i BE-së thotë se, progresi i bërë vitet e kaluara për marrëdhëniet BE-Bjellorusi është në rrezik dhe çdo përkeqësim i situatës do të ndikojë në marrëdhëniet e mëtejshme.

Këshilli i BE-së u ka bërë thirrje autoriteteve bjelloruse që të gjejnë një rrugë për zgjidhjen e krizës dhe t’i japë fund dhunës. Në fund mbështetet dhe propozimi i OSBE-së për të ndërmjetësuar dialogun mes qeverisë dhe opozitës.