Kryeministri Edi Rama foli këtë të martë për krizën energjetike, duke e quajtur atë “luftë dhe jo një lojë”.

Rama bëri thirrje për kursim të energjisë. Ndërkohë, ai paralajmëroi vendosjen e fashës 800kWh në muajin nëntor.

“Edhe për muajin nëntor po rrimë të shohim nëse do të kemi ndonjë mundësi, që për momentin nuk e kemi”, u shpreh Rama.

Aplikimi i çmimit të energjisë prej 42 lekësh për konsumin mbi 800 kilovatorë ishte parashikuar të niste në muajin tetor, por kryeministri Rama vendosi ta shtyjë, sipas tij, për dy arsye: “Kemi pasur reshje që kanë shtuar kuotat në Fierzë. Dhe së dyti një trend kursimi”, tha Rama në atë kohë.

Sakaq, Rama është shprehur se qeveria po diskuton për vendosjen e një tatimi të jashtëzakonshëm për prodhuesit e energjisë. Sipas Ramës, këta prodhues kanë fitime marramendëse nga fati. Ai renditi gjatë një takimi me qytetarët në Përmet se pse po e mendon qeveria diçka të tillë.

“Sot që flasim ne po diskutojmë vendosjen e një tatimi të jashtëzakonshëm për prodhuesit e energjisë, në dialog me ta duke ndjekur direktivën europiane sepse prodhuesit e energjisë ata që e prodhojnë dhe e shesin, nuk është se i kemi të panumërt, por kemi disa, kanë fitime marramendëse. Fitime marramendëse të cilat vijnë nga fati. Fitime të fatit sepse faktikisht nuk kanë bërë asgjë për të pasur shumëfishin e fitimeve. Prandaj duhet të paguajnë një taksë, një tatim, shumë më të lartë. Pse ne po mendojmë për vendosjen e këtij tatimi të jashtëzakonshëm po e quaj sepse është një tatim i jashtëzakonshëm, është një tatim i një kohe të jashtëzakonshme ku nuk është e mundur që një grup njerëzish pavarësisht se kemi gjithë respektin për ta, kompani të mëdha që kanë investuar për strukturat e prodhimit të energjisë, të nxjerrin fitime marramendëse, ndërkohë që ne këtu diskutojmë që nuk mund të rrisim dot këto tre muaj aq sa duhet pagat e zjarrfikësve, se e kam peng që llogaria na pengoi ta bënim që tani dhe i rritëm vetëm 7% ndërkohë që ata janë njerëz që çdo vit e më shumë përballen me një botë që ka gjithmonë e më shumë zjarre dhe me një Shqipëri që ka gjithmonë e më shumë zjarre. Pra njerëz që hidhen në zjarr realisht. Prandaj taksa që ne duam të vendosim është jo një takse për të rritur të ardhurat në mënyrë abstrakte, por për t’u kaluar nga prodhuesit tek njerëzit drejtpërdrejtë. Ne i kemi indeksuar dy herë pensionet si asnjëherë më parë. Sot kemi një rritje të pensionit si asnjëherë më parë me 10%, por nuk mjafton. Prandaj kemi bërë gati bonusin për pensionistët në prag të fundvitit. Përsëri ashtu sikundër kemi bërë gati zerimin e taksës për të gjitha pagat deri në 500 mijë lekë. Jo vetëm përgjysmim, por zerim. Të gjitha këto nuk e zhdukin inflacionin nga sytë tanë, por e zbusin efektin e tij”, tha Rama.