Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) ka pezulluar nga detyra gjyqtaren Mimoza Margjeka, pasi kjo e fundit është në hetim nga SPAK për korrupsion dhe ndaj saj është caktuar masa e sigurisë “arrest shtëpie”. Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, GJKKO, të shtunën la në ‘arrest shtëpie’ gjyqtaren e Apelit, Mimoza Margjeka, e akuzuar për korrupsion.

Nga hetimet e kryera rezulton se gjyqtarja Mimoza Margjeka, e cila u pezullua nga detyra këtë të hënë përftoi gjashtë mijë euro për ndryshimin e masës së sigurisë, nga “arrest në burg” në “garanci pasurore”, ndaj shtetasit Orion Bali. Ky i fundit ishte arrestuar për veprën penale “Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve”.

Ditën e shtunë, në momenti kur gjyqtarja Mimoza Margjeka iu drejtua Gjykatës për t’u njohur me masën e sigurisë pati tensione. Ajo mbërriti gati 3 orë me vonesë në gjykatë, ndërsa shpërtheu në akuza ndaj policisë, që sipas saj nuk kishin një urdhër shoqërimi, ndërkohë që nuk kishin caktuar një efektive femër për ta shoqëruar.

“S’ka urdhër shoqërimi, një urdhër gjykate që e kanë marrë dorazi. Kanë harruar, harrojnë gjyqtarin që e bënë zhele dy ditë kot, për asgjë. Qëllimi për të diskredituar njerëz. Çfarë i bëni popullit ju kur ma bëni mua këtë”, tha e irrituar gjyqtarja.