Në kuadër të angazhimit për të luftuar pa kompromis veprimet abuzive dhe ato të mashtrimit
financiar me pronën publike, me synim përmirësimin e qeverisjes publike, Kontrolli i Lartë i Shtetit
gjatë ushtrimit të punës audituese ka konstatuar shkelje të cilat përbëjnë elementë të veprës penale
në dy institucione:

1. KLSH ushtroi auditimin tematik në Drejtorinë Vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës
dhe në Bashkinë Sarandë, duke i kushtuar vëmendje të posaçme çështjeve që lidhen me
trojet e shitura nga Bashkia Sarandë dhe kalimi i tyre në pronësi të personave privatë.
Rezultatet e këtij auditimi kanë evidentuar problematikat e menaxhimit të aseteve dhe pasurisë
publike, si dhe përgjegjësitë përkatëse nga tre ish-zyrtarët, veprimtaria e të cilëve ka rezultuar
me mospërputhje dhe devijime ligjore, si pasojë e regjistrimeve të pronave të kryera në
mungesë të titujve të pronësisë, të cila kanë sjellë pasojën e përfitimit për persona të tjerë duke
dëmtuar interesat e ligjshme të shtetit.

2. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka evidentuar shkelje edhe nga katër funksionarë të Drejtorisë së
Rrugëve Rajoni Verior Shkodër, për të cilët ka rezultuar se kanë kryer veprime të
kundraligjshme gjatë ushtrimit të detyrës.

Në përfundim të procesit të auditimit janë konstatuar një sërë shkeljesh mbi zbatimin e ligjshmërisë
në prokurimin e fondeve publike dhe sipërmarrjet e mirëmbajtjes së segmenteve rrugore në
juridiksionin që mbulon Drejtoria e Rrugëve e Rajonit Verior Shkodër.

Sa më sipër, për veprimet që kanë sjellë pasojën e përfitimit për persona të tjerë, duke dëmtuar
interesat e ligjshme të shtetit nga tre funksionarë të DVASHK Sarandë si dhe për zbatimin e
procedurave të prokurimit në kundërshtim me Ligjin Nr. 9643 Dt. 20.11.2006 “Për Prokurimin
Publik”, i ndryshuar, për katër funksionarë të Drejtorisë së Rrugëve të Rajonit Verior Shkodër, KLSH i
është drejtuar Prokurorisë ku kërkon ndjekje për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”
parashikuar në nenin 248 të Kodit Penal.