Kontrolli i Lartë i Shtetit ka zbuluar një seri skandalesh të reja në Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH), duke evidentuar vazhdimin e skemës së mashtrimit me barnat e rimbursueshme. Skema përfshin receta fiktive, ilaçe të skaduara dhe një mungesë të thellë kontrolli mbi depot farmaceutike, që kanë rezultuar në dëme të mëdha për buxhetin e shtetit dhe shëndetin e qytetarëve.

Në raportin e majit 2024 për auditimin e veprimtarisë së FSDKSH-së për vitin 2022, KLSH zbulon se janë plotësuar receta për pacientë të vdekur, duke treguar se skema e mashtrimit është në përmasa të mëdha. Vetëm për vitin 2022 janë identifikuar 36 raste me një vlerë të rimbursuar prej 221,843 lekë për pacientë që nuk jetojnë më.

KLSH gjithashtu konstatoi se sasia e barnave të rimbursuara ishte më e madhe se sasia që ka hyrë në farmacinë e QSUT-së nga depot farmaceutike, duke treguar një abuzim sistematik me inventarin e barnave. Për më tepër, janë gjeneruar dhe ekzekutuar më shumë se tre barna për një recetë, në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.

Raporti i KLSH-së kërkon shkarkimin e Albana Çelës, e cila ka drejtuar FSDKSH gjatë periudhës 2020-2023, por që është zëvendësuar nga Spartak Zekja, një tjetër përfaqësues i kartelit të ilaçeve në Shqipëri. Albana Çela ka qenë një lidhje e ngushtë e ish-ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, e cila po hetohet për afera në sektorin e shëndetësisë.

KLSH ka rekomanduar veprime të rrepta për t’i dhënë fund këtyre abuzimeve dhe ka lënë në dorë të Prokurorisë së Tiranës dhe SPAK-ut që të administrojnë këtë raport dhe të marrin masat e nevojshme.