Kolegji Zgjedhor është tërhequr dhe ka marrë një vendim për fatin e Fletës së Votimit, për zgjedhjet e 25 prillit.

Trupa e përbërë nga Gentjan Medja, Alma Kolgjoka, Manjola Xhaxho, Esmeralda Xhili dhe Asim Vokshi është mbledhur në orën 16:00 dhe pas tërheqjes ka vendosur që fleta e votimit të jetë vetëm me numra.

Në sallë kanë marrë fjalën përfaqësuesit e partive, si dhe ka pasur debate mes tyre.

Ivi Kaso, përfaqësuesi i PD-së ka deklaruar se padia e tyre ka të bëjë me identifikimin e emrave të kandidatëve në fletët e votimit, pra, ata janë të mendimit që fleta e votimit të jetë me emra. Së dyti, sipas Kasos, padia ka të bëjë me logon e partisë Bindje Demokratike, e cila është mjaft e ngjashme me atë të Partisë Demokratike. Sipas Kasos, ngjashmëri ka modeli i shkronjave dhe ngjyra dhe se BD-së mund t’i hiqet fare logoja.

Këtyre fjalëve u është përgjigjur Fabian Topollaj, përfaqësuesi i Bindjes Demokratike. Sipas Topollajt, logoja mund t’i hiqet PD-AN-së, pasi ata janë një subjekt zgjedhor më i ri se BD-ja. Tobollajt shtoi se janë bërë ndryshime dhe se fletët nuk janë të ngjashme.

Për fletën e votimit ka marrë fjalën edhe përfaqësuesi i Partisë Soicaliste, Eridian Salianji. Salianji tha se fleta e votimit me numra është e duhura pasi ajo me emra ka ngarkesë të madhe dhe ngjan me një gazetë.

PD kërkon anulimin e fletës së votimit me numra dhe rikthimin e fletës ku shënohen emrat e kandidatëve. Ankimimi i demokratëve erdhi pas vendimit të Komisionit të Ankimimit dhe Ankesave (KAS), që pranoi kërkesën e PS-së për fletë me numra, duke rrëzuar propozimin e PD-së që kishte marrë më parë dritën jeshile në KQZ.

Fleta e votimit me emra u propozua nga Ilirjan Celibashi, por më pas u ankimua nga 2 forcat kryesore politike. Në fletën e miratuar ishte parashikuar të shënuar emrat e kandidatëve për deputetë dhe jo me numra.

Maratona e zgjedhjes së një formati për fletën e votimit, vijon prej javësh.

Disa ditë më parë fleta e votimit me emra u propozua nga Ilirjan Celibashi dhe kaloi me vota në KQZ, por u ankimua nga të dyja palët si PS, ashtu edhe PD. PS kërkonte numrat para emrave, ndërsa PD fletë votimi horizontale.