Komisioni Europian nënshkroi të premten marrëveshjen e parë me kompaninë farmaceutike AstraZeneca për blerjen e një vaksine të mundshme kundër COVID-19 si dhe për ta dhuruar për vende me të ardhura të ulëta e të mesme.

Lajmi vjen pasi, një ditë më parë, Komisioni përmbylli bisedimet hulumtuese me kompaninë Johnson & Johnson. Në momentin që vaksina do të konsiderohet e sigurt, Komisioni ka themeluar kornizat kontraktuale për blerjen e 300 milionë dozave nga AstraZeneca, me një klauzolë për blerjen e 100 milionë të tjerave në emër të vendeve të BE-së.

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, u shpreh se “Negociatat intensive të Komisionit po vazhdojnë të korrin fryte. Marrëveshja e sotme është hapi i parë në implementimin e Strategjisë së Vaksinave të Komisionit Europian”, strategji e cila do të lejojë furnizimin e vaksinave në të ardhmen për të gjithë europianët si dhe vendet e tyre partnere.

Marrëveshja e arritur gjatë së premtes do të financohet nga mekanizma e Mbështetjes së Emergjencave, fondet e së cilës janë të dedikuara për krijimin e një portofoli për vaksina potenciale të profileve të ndryshme.

Vaksina e AstraZeneca ka hyrë tanimë në fazën e dytë dhe të tretë të testimeve klinike.

Më 17 qershor, Komisioni Europian prezantoi një strategji për përshpejtimin e zhvillimit dhe prodhimit të vaksinave të sigurta kundër COVID-19. Në këmbim të së drejtës për të blerë një numër specifik vaksinash, Komisioni do të financojë një pjesë  të kostove të prodhimit në formën parapagese.

Gjithashtu, Komisioni Europian është zotuar që ta bëjë vaksinën të aksesueshme për të gjithë që do të kenë nevojë duke thënë se “asnjë nuk do të jetë i sigurt, nëse të gjithë jemi të sigurt”.