Partia Demokratike që inicioi hetimin parlamentar për “aferën e inceneratorëve” deklaroi të hënën se gjatë hetimit ishte vërtetuar se institucionet përgjegjëse kishin shkelur ligjet në fuqi në dhënien e tre kontratave koncesionare dhe se përfituesit e tyre kishin krijuar skema korruptive dhe pastrimi parash.

Kryetarja e komisionit, Jorida Tabaku prezantoi një raport me 120 faqe të hartuar nga opozita me gjetjet hetimore në bazë të dokumenteve dhe dëshmive të dhëna në komision. Sipas saj, nga vlera e parashikuar prej 430 milionë eurosh për tre kontratat koncesionare, vetëm 1/3 e këtyre fondeve i korrespondon vlerës reale të ndërtimit të inceneratorëve.

Sipas raportit, “janë përdorur tre mënyra për të qarkulluar paratë e buxhetit të shtetit, duke krijuar një skemë të madhe piramidale dhe evazioni fiskal me qëllim përfitimet e paligjshme”.

“Së pari, kompanitë e inceneratorëve kanë përdorur buxhetin e shtetit për të tërhequr paradhënie shumicën e shumës së premtuar dhe më tej ato kanë zhdoganuar mallra më pak se sa ajo e zotuar në kontrata. Së dyti, mënyra përmes së cilës ato kanë vepruar është ajo e krijimit të transfertave të parave jashtë vendit, duke krijuar kështu mundësinë që paratë e buxhetit shqiptar të dalin jashtë territorit të vendit pa përfunduar punën.

Së treti, është mënyra e krijimit të një miksi mes sajimit të kompanive fiktive me fatura të TVSH dhe gjithashtu transferimi i parave në kompaninë ITS, e cila është përdorur si një kompani guackë përmes së cilës janë shpërndarë paratë në të tjera kompani,” lexoi Tabaku si gjetjet kryesore.

Tabaku tha se transfertat me jashtë kapnin shifrën prej 24.48 milionë euro, për të cilat tha se “janë të lidhura me kompani “guackë ” e të regjistruara në vendet të njohura si parajsa fiskale”.

Kryetarja e komisionit sqaroi lidhjet e kompanive përfituese me njëra tjetrën në të treja kontratat me përfitues fundor Mirel Mërtirin, partneren e tij Stela Gugallja dhe ortakun Klodian Zoto. Sipas saj, ‘afera masive financiare” u mbështet në dy shtylla, tek procedurat e paligjshme dhe në “përdorimin e fondeve publike përmes një skeme pastrimi parash për t’i nxjerrë këto fonde jashtë vendit apo duke kryer pagesa me kompani fiktive si dhe kompani që zotërohen nga të kërkuarit në arrati Zoto-Gugallja-Mërtiri”.

Në përfundimet e tyre, demokratët listuan emrat e 50 zyrtarëve të lartë dhe dytësorë apo punonjës administrate që kanë qenë të lidhur me këto procedura, për të cilët thanë se do të ngrenë padi në SPAK si përgjegjës për ndërtimin e një skeme të madhe korruptive.

Partia Socialiste me mazhorancë numerike në këtë komision prezantoi një raport të kundërt me atë të opozitës, ku flitej përgjithësisht për situatën mjedisore në vitin 2014, kur nisën procedurat e koncensioneve për ndërtimin e inceneratorëve. Nënkryetarja Ermonela Felaj tha se gjatë punës së tij, komisioni kishte shkelur ligjin ku bazohet dhe ka marrë atribute ligjore që nuk i takojnë. “Komisioni bëri shkelje proceduriale dhe përmbajtësore në mbledhjen e informaconit dhe pyetjen e dëshmitarëve,” tha Felaj.

Felaj e cilësoi gjithashtu jashtë kompetencës së komisionit hetimin e kompanive që kanë përfituar këto koncensione. “Sjellja e subjekteve private në raport me ligjin nuk mund të jetë objekt i hetimit parlamentar, nuk është në interesin publik të parlamentit,” tha ajo.

Përfaqësuesja e PS-së në raportin e saj iu referua vetëm procedurave të dhënies së këtyre kontratave, duke i cilësuar ato “në përputhje me legjislacionin në fuqi”. Për rastin e Elbasanit, për të cilin një ish-ministër i PS-së është i arrestuar për shpërdorim detyre dhe korrupsion, Felaj tha se nuk do të komentonte një çështje në hetim, ndërsa iu referua ligjeve për përgjegjësinë penale si individuale. “Nuk do komentojmë veprimet e Autoritetit Kontraktor, pasi po hetohet nga drejtësia, por nuk bëjmë avokatinë e askujt. E kemi të qartë përgjegjësinë individuale dhe kolektive,” tha ajo.

Lidhur me vendimin e Komitetit të zv/ministrave për shpalljen e emergjencës kombëtare mjedisore, një vendim që rezulton pa vlerë ligjore, Felaj tha se: “pavarësisht interpretimit që i bëhet këtij vendimi”, ai ishte i lidhur me konteksin ku ndodhej vendi dhe solli si shembull vendimet e bashkive të marra me unanimitet për shpalljet lokale të emergjencës.

Raporti i PS-së ishte një kundër-raport për pretendimet e opozitës. “Hetimi rezultoi se opozita nuk ka asnjë qasje për të provuar akuzat për grup të strukturruar kriminal dhe korrupsion,” tha Felaj.

Komisioni me shumicë votash votoi si raport përfundimtar atë të mazhorancës, ndërsa raporti i opozitës do t’i bashkangjitet gjatë prezantimit në seancë plenare.

Komisioni hetimor nisi në fund të tetorit dhe megjithë konfliktin politik mes palëve që çoi në ngecjen e hetimit në fund të janarit, arriti të tërhiqte vëmendjen e publikut drejt debatit për ligjshmërinë e këtyre kontratave në disa seanca maratonë dëshmish me zyrtarë të lartë, ndër ta dhe kryeministri Edi Rama.