Komiteti i Ekspertëve ka vendosur sot që të lërë në fuqi masat shtrënguese të marra në 10 shkurt, në përpjekje për të kufizuar përhapjen e Covid-19.

Në një deklaratë për mediat, Komiteti i Ekspertëve argumenton se indikatorët flasin për një qëndrueshmëri të rasteve të reja dhe po japin efekt, ndaj dhe është vendosur që të gjitha masat e tanishme të jenë fuqi për një kohë të pacaktuar.

“Siç shihet nga këto prezantime duket që situata vazhdon të mbetet delikate, por tregohet se është një situatë e qëndrueshme. Kemi vënë re një tendencë ulje të indikatorit R (transpemtueshmëria).

Pra konkluzioni i ekspertëve ishte që masat po japin efekt dhe do të mbeten të gjitha në fuqi”, tha Rakacolli.

Masat që janë në fuqi të marra në datën 10 Shkurt nga Komiteti i Ekspertëve:

Ndalimi i qarkullimit të lëvizjes për qytetarët nga ora 20:00 e mbrëmjes deri në 06:00 të mëngjesit, me përjashtim të emergjencave shëndetësore dhe për arsye pune për një periudhë 14 ditore, duke filluar nga dita e enjte, datë 11 Shkurt – 25 Shkurt.

Ndalimi i aktiviteteve të bareve, restoranteve, klubeve, lokaleve, nga ora 20:00 e mbrëmjes – 06:00 të mëngjesit (me përjashtim të shërbimit delivery), duke filluar nga dita e enjte, datë 11 Shkurt- 25 Shkurt.

Nisur nga rritja e rasteve të infektimeve të reja në grupmoshën 15-24 vjeç, shkollat e mesmen e zonat e riskut të lartë, ku përfshihen bashkitë: Tiranë, Fier, Vlorë, Berat, Durrës, Gjirokastër, Lezhë, Lushnje, Pogradec dhe Kamëz, do të aplikojnë skenarin e tretë, pra mësimin online për periudhën 11 Shkurt – 26 Shkurt.

Sezoni i provimeve për universitetin rekomandohet të zgjatet, për të siguruar kombinimin e provimeve online dhe në auditor, për lëndët që kërkojnë prezencë, sipas vlerësimit të bërë nga MASR, duke zbatuar rreptësisht protokollet anti-Covid.