Komiteti Teknik i Ekspertëve ka propozuar zgjatjen e orarit të muzikës për lokalet nga ora 22:00 që është aktualisht deri në orën 23:00. Në mbledhjen e ditës së sotme, Komitetit i Ekspertëve theksoi se masat e tjera nuk do të ndryshojnë.

“Komitetit i Ekspertëve propozon zgjatjen e orarit të lejuar të muzikës nga 22:00 në 23:00, ndërsa masat  e tjera vazhdojnë të mbeten në fuqi”, tha zv/ministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli.

Kjo e fundit bëri thirrje gjithashtu për vaksinimin të atyre qytetarëve që nuk e kanë përmbushur ende këtë proces. E në këtë pikë, Rakacolli theksoi se pacientët e shtruar në spital me Covid-19 janë të moshës mbi 60 vjeç dhe nuk kanë qenë të vaksinuar.

“Fakti që ata nuk janë vaksinuar për arsye të ndryshme tregon që kanë marrë sëmundjen. Mosvaksinimi është arsyeja kryesore që këta të infektuar kanë nevojë për kujdes spitalor”.

Drejtoresha e ISHP-së Albana Fico, nënvizoi se ka një rritje të lehtë të rasteve mesatare pozitive, ndërkohë që numri i rasteve është rritur, duke mbetur gjithsesi në një raport 5 në 100 mijë banorë.

Ajo shtoi se ende nuk ka një zyrtarizim për praninë e variantit Delta në Shqipëri nga laboratorët ku po studiohen rastet e dyshimta.

“Incidenca 2-javore për 5 deri 18 Korrik është 5 për 100 mijë banorë. Ka rritje të lehtë të mesatares së rasteve pozitive ditore nga 8 në 13. Numri i rasteve aktive është rritur në 156 krahasuar me 137, por mbetemi në incidencë 5 për 100 mijë banorë, ka zbritje të numrit të bashkive të prekura nga 10 në 9. Raporti i infeksionit femra meshkuj është 52 me 48%. Të shtruar në spitalin Covid janë 5, nuk kemi persona në reanimacion. Numri i vdekjeve ka qenë zero për ditë me radhë. Ndërkohë që raporti i fataliteteve mbi rastet pozitive mbetet në shifrën 1.9%. Ka dhe një rritje të lehtë të pozitivitetit të mostrës”.

Situata në spitalin COVID 1 ku trajtohen të gjitha rastet e rënda, sipas ekspertëve mbetet e qetë.

Janë shtruar 5 persona, te gjithë të moshuar mbi 65 vjeç dhe asnjeri prej tyre i vaksinuar. Kjo, sipas profesor Dhimitër Kraja, “na inkurajon sepse do të thotë që vaksinat në Shqipëri po funksionojnë”.