Komiteti Teknik i Ekspertëve u mblodh ditën e sotme për të shqyrtuar masat anti-COVID.

Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli u shpreh se duke parë situatën epidemiologjike dhe duke peshuar masat që janë marrë, Komiteti i Ekspertëve mendon që t’i propozojë Ministrisë se Arsimit që të kalojë nga skenari i kombinuar, në prezencën në klasë për nxënësit e arsimit parauniversitar.

“Situata ka vijuar të jetë e qëndrueshme, por ka një tendencë të vogël rritjeje të rasteve ditore dhe të të shtruarve në spitale. Shpresojmë që situata nuk do të rëndohet, aq më tepër që vaksinimi ka ecur me ritme shumë të mira. Duke parë këtë situatë epidemiologjike, komiteti mendon t’i propozojë Ministrisë së Arsimit të kalojmë mësimi parauniversitar në klasë nga mësimi i kombinuar”, tha Rakacolli.

Drejtorja e ISHP, Albana Fico u shpreh se disa qarqe si Gjirokastra dhe Korça nuk kanë pësuar ndryshime të ndjeshme për të vlerësuar masat.

Ndërkohë, kreu i Urgjencës Kombëtare, Skëndër Brataj u shpreh se ka një rritje të thirrjeve në 127, e lidhur edhe me faktin e informacioneve që kërkohen për vaksinat si dhe shtim i lehtë i shtrimeve në spital dhe atyre që mjekohen në shtëpi.

Ndërkohë, masat e tjera kufizuese nuk janë ndryshuar dhe janë lënë në fuqi, sikurse është lejimi i lëvizjes deri në orën 22:00. Kurse incidenca 2-javore ka pësuar ulje. Nga rreth 25 mijë raste aktive që ka qenë, aktualisht është ulur në 20.586.