Vlora do të ketë një aeroport ndërkombëtar. Ndërtimi i këtij aeroporti në qytetin bregdetar jugor do të kushtojë plot 103.9 milionë euro, dhe kompania fituese është një konsorcium kompanish zvicerane “Mabco Construcion”, që baza e saj është kompania e Behgjet Pacollit.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë Kryeministri Edi Rama. Përzgjedhjen e kompanisë që do të ndërtojë aeroportin e Vlorës, kreu i qeverisë thotë se mezi e ka pritur, duke theksuar se ky projekt ka qenë sfida e tij.

“E kam pritur këtë ditë, kjo ka qenë një nga sfidat më të bukura dhe më të rëndësishme që ta bëj Vlorën me një aeroport ndërkombëtar. Kështu vijmë sot në këtë moment kur unë marr frymë i lehtësuar nga kjo barrë, që për fat të mirë jam deputet në Vlorë por edhe për fat të keq jam deputet në Vlorë. Fati i keq është se dihet padurimi proverbial i vlonjatëve që kthehet në torturë kur nuk ke gjë në dorë dhe shënjestrohesh si gënjeshtar, mashtrues, si njeri që harron atë që premton, shënjestrohesh si manipulator, thjesht si një krijues videosh 3D, dhe kur ti e di se cila është e vërteta, fjalët e shpjegimet nuk bëjnë një punë të madhe.

Sot ne kemi fituesit dhe jam i lumtur që baza e këtij konsorciumi është një kompania e famshme, kompania e Behgjet Pacollit. Jam i lumtur që do ta ketë mundësinë të provojë atë që prej kohësh ka dëshiruar ta provojë dhe atë që prej kohësh më ankohet mua që si s’mu dha mundësia që unë të investoj në Shqipëri, të lë gjurmën time në Shqipëri”, u shpreh kryeministri Rama.