Ndërkohë që Parlamenti vijonte me diskutimet dhe votonte mbi raportin e hartuar nga Komisioni Hetimor për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta, në Presidencë zhvillohej një aktivitet me këngë e valle nga Ansambli Folklorik i Dibrës “Hazis Ndreu”. Për të dëshmuar “indiferencën” e tij ndaj vendimmarrjes së deputetëve për një gjë shumë të rrallë, gjithsesi të shëmtuar e që nuk lidhej vetëm me të, Presidenti ynë zgjodhi të organizojë atë performancë që të kujtonte sekuenca nga filmi “Koncert në vitin ‘36”. Duke abuzuar si askush me ata djem e vajza dibranë që hidhnin valle në oborrin e Presidencës në momentin që po shkarkohej për shkelje të Kushtetutës së Shqipërisë e shumë akuza të tjera të rënda, Ilir Meta, me karshillëkun e tij fallc, tregoi se nuk ka pranë tij askënd që ta këshillojë e ta ndalë në këto reagime që nuk e nderojnë… Përsëri, si pak ditë para 25 prillit, nuk pati askënd ta ndalojë  kur vajti vetë për të liruar forcërisht zyrat e FRD-së nga policët bashkiakë të cilëve iu kërcënua se: “Do t’ju fus në burg me duart e mia.”!!! Por kjo që bëri në Presidencë me dibranët është edhe më e rëndë. Valltarët e Dibrës, madje e gjithë Dibra mendoj, nuk duhet t’ia falë atij përdorimin e vajzave e djemve të nderuar të saj për t’i bërë karshillëk askujt. As deputetëve të Kuvendit. Këshilltarët që e rrethojnë, të paktën në këtë rast, mund t’i kishin thënë se me veten, fizikun e tij, Ilir Meta mund të bëjë ç’të dojë siç bëri në zyrat e FRD-së, por me të tjerët është e papranueshme t’i përdorë për karshillëk. Amerikës mund t’i tregojë raketat ruse e koreane, punë e tij, por Ilir Meta nuk mund të përdorë si çengitë e personazhit negativ të filmit “Koncert në vitin ‘36” askënd. Këtë duhet t’ia thotë dikush që i rri pranë dhe ka dy para mend në kokë. Unë njoh njerëz të tillë pranë tij. Nuk besoj se janë të gjithë si Tedi Blushi…
 
Ilir Mborja