Kryeministri Edi Rama tregoi sot se pse është vendosur nga qeveria të bëjë rishikimin e kontratës koncensionare për Aeroportin e Rinasit, dhe të bëhet kohëzgjatja e koncensionit, ndërsa tha se tashmë atë e mori një kompani shqiptare, pa përmendur kompaninë “Kastrati”. Rama theksoi se është i lumtur që aeroporti do jetë në duart e shqiptarëve, ndërsa shtoi se do të kryhen investime të rëndësishme e se biletat do të jenë 25 për qind më të lira.

“Jam i lumtur që iku nga duar e kinezëve dhe kaloi tek shqiptarët. Jam shumë i lumtur që aeroporti do të ketë çmime normale për të gjithë dynjallëkun. Sepse ishte më i shtrenjti i Europës. Kam marrë mallkime pafund sepse kishte çmime të shtrenjta. E dini mirë këtë gjë të gjithë. Nuk e kuptonin se e kishte në dorë kinezi dhe s’kishim asgjë për të bërë. Do kthehet në kantier investimesh të reja; terminali i ri, pista e re dhe për avionët e mëdhenj se nuk kemi hequr dorë nga çuarja e Fan Nolit në Amerikë. Ka çmime katastrofike të ‘jet fuel’. Edhe ju, edhe vetë ata që e kundërshtojnë kot këtë gjë do kenë udhëtime 25% më të lira. Nuk janë pak. Është kthim në normë. Pse sot? Pse jo sot. Unë nuk punoj për zgjedhjet, se dëgjoj shumë që ‘a ata që vijnë zgjedhjet’. Ne punojmë çdo ditë më mish e me shpirt. Ne duam që investimet të fillojnë menjëherë dhe këtu do jemi do e shikoni. Apo më mirë kur e kishin kinezët? Nuk i kam dëgjuar ndonjëherë të flisnin? Sapo e merr një shqiptar që nuk e mori nga qeveria, po e mori nga kinezët, dhe iu dha paratë. Menjëherë fillojnë dhe flasin. Është kulmi. Kontrata është e qartë dhe transparente. Ku do i gjeni lekët i tha një gazetar? Do i presim duart korrupsionit tha. Do hapin një dyqan kasapi me Ilir Metën, se edhe ai do priste duar”.