Koreja e Veriut ka konfirmuar vdekjen e parë nga COVID-19, ndërsa mediat shtetërore raportojnë se mijëra njerëz tjerë janë duke u përballur me ethe dhe temperaturë.

Gjashtë njerëz kanë vdekur nga ethet dhe njëri prej tyre ka rezultuar pozitiv me variantin Omicron të koronavirusit.

Sipas mediave të vendit, 187.000 njerëz me ethe dhe temperaturë janë “të izoluar dhe janë duke u trajtuar”.

Autoritetet kanë raportuar për një shpërthim të variantit Omicron në kryeqytetin Phenian, si dhe kanë njoftuar masat e izolimit.

Megjithatë, nuk kanë treguar shifrat e sakta të personave të infektuar.

Disa ekspertë besojnë se virusi ka qenë prezent prej kohësh në këtë shtet, pavarësisht se autoritetet kanë bërë të ditur rastin e parë zyrtarisht më 12 maj 2022.

Ata besojnë se ky shtet me popullsi prej 25 milionë banorësh është i cenueshëm, pasi Koreja e Veriut nuk ka dhënë vaksina kundër coronavirusit dhe ka refuzuar furnizimet me vaksina nga prodhuesit AstraZeneca dhe Sinovac.

Mënyra e vetme e Koresë së Veriut për të luftuar koronavirusin ka qenë përmes mbylljes së kufijve të jashtëm prej janarit të vitit 2020.

Autoritetet kanë vënë edhe ndalesa në importimin e disa produkteve, gjë që ka sjellë mungesa në ushqim dhe dobësim të ekonomisë.