Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja ka kallëzuar në SPAK zyrtarë të lartë të Agjencisë së Kthimit të Pronave që, sipas tij, janë të përfshirë në korrupsion.

“Ka dyshime të arsyeshme për përfshirje në korrupsion të zyrtarëve më të lartë të Agjensisë së Kthimit të Pronave. Kam firmosur kallëzimin që do e depozitojmë në SPAK”, tha Manja.

“Janë dy skema të dokumentuara, përmes të cilave zyrtarët e lartë të Agjencisë janë përfshirë në korrupsion. Ish-pronarët i kanë shitur dokumentet te sekserët, të cilët menjëherë kanë aplikuar te Trajtimi i Pronave dhe janë kompensuar 100% financiarisht, por edhe me prona në zona turistike. Më pas, edhe i kanë tjetërsuar këto prona te familjarë të Agjencisë së Trajtimit të Pronave”, shtoi ministri i Drejtësisë.

“Skema tjetër, në lidhje me kompensimin e ish-pronarëve, në pronën e të cilëve janë ngritur objekte që janë legalizuar. Skema e kompensimit financiar ndjek rendin kronologjik që vjen nga vendimet e Kadastrës. Por, nuk ndodh kështu. Ka ish-pronarë që presin nga 5 vjet për shuma qesharake, ndërsa nga ana tjetër ka ish-pronarë që janë kompensuar në shuma marramendëse, deri në 500 milionë lekë të vjetër, brenda 17 ditësh. I mbetet SPAK-ut të thellojë më tej hetimet”, theksoi Manja.