Garda shoqëroi jashtë dy avokatët e prokurorit Ervin Karanxha që protestuan zhurmshëm kundër shpalljes së vendimit nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. KPK njoftoi shkarkimin e Karanxhës, pasi rrëzoi një sërë kërkesash të tij.

Nga Vladimir Karaj / BIRN

Protesta e avokatëve të prokurorit Ervin Karanxha në momentin kur kryesuesja e trupës së KPK që bëri rivlerësimin e tij njoftoi se po shpallte vendimin, solli përfshirjen e gardës për të vënë qetësi dhe shoqëruar ata jashtë.

Avokatët Ndue Pjetra dhe Klodian Reçi u ngritën në këmbë kur kryesuesja njoftoi se do të shpallej vendimi dhe këmbëngulën se seanca ishte dëgjimore duke iu referuar njoftimit të KPK-së.

Etleda Çiftja, që drejtoi trupën me relatore Pamela Qirkon dhe anëtare Valbona Sanxhaktarin, lexoi mes zhurmës se Karanxha, i cili ishte i pranishëm në këtë seancë ndryshe nga dy të mëparshmet, ishte shkarkuar.

Por më pas seanca u ndërpre. Çiftja, e cila nuk arriti ta lexonte deri në fund vendimin, i kërkoi gardës të vendoste qetësi. Edhe dy përpjekje të tjera për të lexuar vendimin dështuan. Më pas oficerë të gardës shoqëruan jashtë dy avokatët. Vetë prokurorit Karanxha iu dha mundësia të qëndronte nëse do të mbante qetësi.

Pas dëbimit të avokatëve, Karanxha që akuzoi se procesi ishte si “në kohën e Mehmet Shehut”, dëgjoi vendimin e trupës që njoftoi shkarkimin e tij dhe më pas u largua nga salla.

Më herët, në seancën e të mërkurës, trupa njoftoi se kishte rrëzuar një sërë kërkesash të avokatëve të Karanxhës. Njëlloj një trupë tjetër e zgjedhur me short kishte rrëzuar 4 kërkesa për përjashtimin e anëtares Valbona Sanxhaktari, 2 për përjashtimin e Çiftjas dhe një kërkesë për përjashtimin e gjithë trupës.

Gjatë dy seancave dëgjimore të zhvilluara më parë për procesin e rivlerësimit të prokurorit Karanxha në datat 23 dhe 30 qershor, në të cilat ai nuk ishte i pranishëm, përfaqësuesit e tij ligjorë paraqitën një seri kërkesash duke ngritur pretendime për konflikt interesi dhe mungesë paanshmërie.

Pasi avokatët u larguan në seancën e dytë me argumentin se kishin prokuror përfaqësimi vetëm për paraqitjen e kërkesave, KPK relatoi gjetjet për prokurorin e Tiranës, Ervin Karanxha, të cilat lidheshin kryesisht me mungesën e 3.4 milionë lekëve në analizën financiare si dhe ‘hetime të kufizuara’.

Ervin Karanxha ka përfunduar studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2003 dhe u emërua prokuror në Prokurorinë e Tiranës – ku e ushtroi funksionin prej gati dy dekadash.