Partia Demokratike e ka konsideruar një ogur të keq për median vendimin e parë të qeverisë “Rama 3” për krijimin e Agjencisë për Mediat dhe Informimin.

Reagimi erdhi nga deputetja Godole e cila shkruan se shoqatat e medias duhet të reagojnë ndaj këtij vendimi që ve në jetë ligjin “antishpifje”.

“Fakti që një ndër vendimet e para të marra sot nga qeveria “Rama 3” qe krijimi i një Agjencie për Mediat dhe Informimin, është ogur i keq për lirinë e shprehjes dhe gazetarinë.

Sepse ky duket që do të jete mandati i propagandës dhe censurës së ligjëruar me vulë kryeministrore!

Sot kryeministri kurorëzoi ligjin “antishpifje“, për të cilin mori goditje dy vjet më parë nga të gjitha institucionet ndërkombëtare.

Shpresoj që shoqatat e gazetarëve, Këshilli i Medias dhe Etikës dhe gjithë organizmat e tjera të shprehen kundër kësaj VKM që cenon dukshëm lirinë e shprehjes në Shqipëri”, shkruan deputetja demokrate.