Gjanica është ndër lumenjtë më të ndotur në Shqipëri dhe banorët e qytetit të Fierit kanë parë ndër vite se si ujërat e lumit ndryshonin ngjyrë; nga gri e hapur në sterrë të zezë.

Projekti i Rilindjes Urbane për rehabilitimin e shtratit të Gjanicës i zhgënjeu gjithashtu shpresat për pastrimin e lumit që kalon përmes qytetit.

“Bie erë. Edhe tani që kaloj, e ndjej erën, bie erë naftë dhe gaz,” thotë një i moshuar teksa ecën mbi urën që lidh lagjen “1 Maji” me bulevardin “Jakov Xoxa”.

Aroma e fortë e squfurit që shpërndahet në ajër denoncon sërish ndotësit historikë të lumit të Gjanicës –kompanitë publike apo private të naftës që i shkarkojnë mbetjet e hidrokarbureve në lumë.

Por pavarësisht rasteve të përsëritura të ndotjes, të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se askush nuk u ndëshkua gjatë vitit 2020, ndërkohë që institucionet përgjegjëse ia faturojnë fajin njëra-tjetrës.

Nga gushti deri në dhjetor 2020, lumi i Gjanicës u ndot rëndë të paktën në pesë raste, duke marrë ngjyrë të zezë.

Nevila Jahaj, drejtoreshë e organizatës “Epoka e Re” me qendër në Fier i tha BIRN se nisur nga ankesat e shpeshta të qytetarëve gjatë vitit 2020, një grup organizatash i ishin drejtuar ministrit të Mjedisit, Blendi Klosi, por përgjigja nuk kishte qenë e kënaqshme.

“Në përgjigjen zyrtare që na ktheu ministri thuhej se firmat që ndotin Gjanicën kanë të drejtë të vetëmonitorohen dhe vetëmonitorimin e tyre i gjeni në web…Vetëm kaq ishte përgjigjja,” tha Jahaj për BIRN.

Gjatë vitit 2020, strukturat lokale për mbrojtjen e mjedisit iu nënshtruan ristrukturimit, duke i ndarë kompetencat mes Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit, IKMT për qarkun e Fierit dhe Agjencisë së Mbrojtjes së Mjedisit për Jugun, e cila mbulon përveç Fierit edhe Vlorën e Gjirokastrën.

Sipas të dhënave zyrtare nga Agjencia Rajonale e Mjedisit, 35 inspektime u kryen gjatë vitit 2020 për subjektet me impakt në mjedis dhe u vendosën dy gjoba, por asnjëra prej tyre nuk ka lidhje me kompanitë e naftës që ndotin Gjanicën.

Shtrati i lumit Gjanica në qendër të Fierit. Foto: Valbona Davidhi.

I pyetur nga BIRN, kreu i Agjencisë Rajonale të Mjedisit, Arben Voja i tha BIRN se për ndotje si ajo e Gjanicës që shfaqen papritur në mjedis, është përgjegjës IKMT.

“Ne punojme bazuar në një plan pune, kontrollet dhe inspektimet i kryejmë sipas një axhende të përcaktuar. Ndërsa për problemet mjedisore që shfaqen papritur përgjigjet IKMT,” tha Voja.

Por Hader Çako, ish-kryeinspektori i Mjedisit, i cili drejton aktualisht IKMT në Fier tha se aktiviteti i Inspektoriatit gjatë vitit 2020 ishte i pezulluar –ç’ka sipas tij nuk i lejoi të kryenin kontrolle dhe inspektime.

Duarlidhur e shfaq veten edhe bashkia e Fierit –ndonëse kryebashkiaku Armando Subashi premtoi në shtator të 2020 penalizim për kompanitë ndotëse të naftës.

Të pyetur nga BIRN se çfarë veprimesh janë ndërmarrë për të gjetur autorët e ndotjes së lumit Gjanica, zyrtarët e Bashkisë thanë se ata nuk kanë asnjë kompetencë në monitorimin e mjedisit.

“Bashkia nuk ka as kapacitetin e nevojshëm për dokumentimin e nivelit të ndotjes dhe as kompetencën për të ndërhyrë në gjetjen dhe penalizimin e autorëve të saj,” tha Bashkia në një përgjigje me shkrim.

Bashkia e konsideroi një ‘çështje komplekse’ ndaljen e ndotjes së lumit Gjanica.

“Nuk mjafton vetëm vënia para përgjegjësisë e shkaktarëve të ndotjes, por nevojiten dhe investime specifike për të eleminuar derdhjet e pakontrolluara si të hidrokarbureve…U takon ekspertëve mjedisorë që të shprehen më mirë në lidhje me këtë çështje, me ndërhyrje konkrete dhe definitive,” shtoi Bashkia.

Institucioneve të dorëzuara i shtohet edhe policia e Fierit, e cila ka referuar vetëm dy procedime gjithsej për mjedisin në vitin 2020, por asnjë prej tyre nuk ishte për lumin Gjanica.

“Të vetmet raste ku ka nisur procedimi penal për ndotje të ajrit kanë qënë shpërthimi i një pusi nafte në Mallakastër dhe një shpërthim në Albpetrol,” sqaroi zëdhënësja e policisë së Fierit, Egi Doko.

Për prefektin e Fierit, Baki Bala, identifikimi i ndotësve të lumit Gjanica nuk është një punë e vështirë.

Pas ndotjes së përsëritur të lumit në nëntor 2020, prefekti koordinoi një takim me institucionet e mbrojtjes së mjedisit dhe realizoi një inspektim nga vendburimi i lumit në Mallakastër deri në derdhjen e tij në Vijën e Ngjalës në Fier.

“Tani këto institucione kanë një hartë të saktë të aktiviteteve që operojnë përgjatë lumit,’ tha Bala, ndërsa shtoi se kjo çështje nuk zgjidhet vetëm me gjoba.

‘Duhet të detyrojmë me ligj subjektet që të vendosin impiante pastrami, me qëllim që përpara shkarkimit, mbetjet e çfarëdo lloji të filtrohen, përfundoi ai./Birn