Kryeministri i Austrisë, Sebastian Kurz ka dhënë dorëheqjen pas akuzave për korrupsion.

Kurz ka deklaruar se do të japë dorëheqjen në përpjekje për të shmangur krizën qeveritare pas nisjes së hetimit për korrupsion ndaj tij.

35-vjeçari ka propozuar që ministri i Jashtëm, Alexander Schallenberg të jetë zëvendësuesi i tij. Ndërsa ai vetë planifikon të bëhet kryetari i grupit parlamentar për Partinë Popullore të Austrisë.

Partia ka dalë në mbështetje të tij edhe pas nisjes së hetimeve, por një prej partnerëve të koalicionit, Të Gjelbërit kanë shprehur qëndrimin se Kurz nuk mund të qëndrojë kancelar dhe kanë kërkuar zëvendësimin e tij.

Nga ana tjetër liderët e opozitës patën kërkuar largimin e Kurz dhe kishin planifikuar që të kërkonin një mocion mosbesimi ndaj tij në martën në Parlament.

Sebastian Kurz është bërë subjekt i një hetimi, nën dyshimin e ryshfetit dhe shkeljes së rregullave financiare.

Hetimi nis prej vitit 2016 kur Kurz ishte ministër i Jashtëm dhe po kërkonte të zgjidhej lider i partisë konservatore.

Dyshimi në këtë hetim është se, duke filluar në vitin 2016 kur Kurz ishte ministër i Jashtëm dhe kërkonte të bëhej udhëheqës partie, dhe më vonë kur u bë kancelar, Ministria e Financave e drejtuar nga konservatorët pagoi reklamat në një gazetë, në këmbim të sondazheve dhe politikës editoriale në favor të tij.

Hetuesit thonë se ka dyshime se prej 2016 deri në 2018 fonde të Ministrisë së Financave janë përdorur për të manipuluar sondazhe të publikuara në këtë gazetë.

Tabloidi “Oesterreich” që është në qendër të hetimit ka mohuar të ketë marrë para për reklama në këmbim të publikimit të sondazhit.

Sebastian Kurz u zgjodh lideri i OVP në maj 2017 dhe drejtoi partinë e tij në fitoren e zgjedhjeve një vit më pas.