Kryeministrja e Serbisë Ana Bërnabiç tha pas fitores së Vetëvendosjes në zgjedhjet e 14 shkurtit, se ndjen keqardhje që “dialogu  Kosovë-Serbi nuk është përparësi e Kurtit”.

Ajo e ka cilësuar si “jo serizoitet të elitave politike” dhe shtoi se dialogu “është mënyra e vetme për të pasur një marrëveshje për normalizim”.

“Unë nuk e di se çfarë tjetër mund të ishte prioritet më i madh”, tha Bërnabiç. Ajo vlerësoi se për Kosovën nuk ka “perspektivë pa dialog” dhe shtoi “gjysma e botës nuk e njohin Kosovën.

Kosova nuk mund të negociojë anëtarësimin në BE pasi pesë vendet anëtare të bllokut nuk e njohin si shtet, tha kryeministrja e Serbisë.  “Ne jemi këtu për dialog”, tha ajo në një konferencë për media.

Pas daljes së rezultateve të zgjedhjeve ku Vetëvendosja doli forcë fituese, lideri i saj Albin Kurti tha se  formimi i një ekipi negociues për dialogun me Serbinë “nuk është përparësi” e tij dhe shtoi se  “është një përparësi e gjashtë apo e shtatë për qytetarët e Kosovës”. “Prioriteti ynë është punësimi dhe drejtësia”, tha Kurti.

Bashkimi Europian i ka bërë thirrje qeverisë së ardhshme të Kosovës të vazhdojë angazhimin për dialogun me Serbinë.

Dialogu Kosovë- Serbi

Në mars 2021 bëhet 10 vjet që prej nisjes së dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Qeveria e Kosovës ka marrë pjesë në dialog për të marrë njohjen e Serbisë, edhe pas deklaratave të përsëritura nga udhëheqësit e Serbisë se ata nuk do ta njohin vendin.

Dialogu u ndërpre në fund të vitit 2018, pas vendosjen e taksës 100 përqind nga qeveria e Haradinajt mbi mallrat nga Serbia.

Më vonë, qeveria Kurti vendosi masa reciprociteti ndaj Serbisë, por këto të fundit u hoqëm nga Qeveria e Hotit, për të mundësuar vazhdimin e dialogut.

Deri më tani palët kanë arritur një marrëveshje për normalizimin e raporteve ekonomike, por bisedimet shpeshherë janë ndalur dhe ende nuk ka një dakordësi përfundimtare.