Nga Tritan Kalo

Profili në Facebook

 

Kohë kovidiane, 06.09.2021. Një javë të mbarë për ju miq, të afërm, kolegë e bashkëkombas!

Nga observimet epidemiologjiko-kliniko-biologjiko-imazherike të të infektuarve nga virusi Sars-Cov2/Covid-19, qartazi shihet se varianti Alpha i tij ende prek jo pak të sëmurë, krahas përhapjes “si vaji në lakra” të variantit Delta apo varianteve të tjera të këtij virusi jetëlëndues e jetëmarrës.

Shtimi i numrit të të sëmurëve në popullatën e gjerë sidomos në ata ende të pavaksinuar, mundet t’i vihet si barrë variantit Delta që po dominon kudo tablonë epidemiologjike të Pandemisë së Sars-Cov2/Covid-19, POR agresiviteti në ecurinë dhe në përfundimin fatal të shumë të sëmurëve këto javët e fundit, qartazi lidhet edhe me “një rizgjim” të aktivitetit dhe lëndimeve të shkaktuara nga variantet e mëparshme të këtij virusi.

KURRË nuk duhen nënvlerësuar MASAT e treguara të vlefshme ndër shekuj, në pakësimin e mundësisë së përhapjes së viruseve aerogenë: MHD Maskë në mjediset e mbyllura e të mbipopulluara, Higjenë personale e kolektive si dhe Distancim fizik aty ku dhe kur është i mundshëm të realizohet ai!

Vaksinimi në ndihmesë të masave të mësipërme dhe IMUNIZIMI NATYRAL pas kalimit të Covid-19, së bashku me masat e mësipërme si dhe me rindezjen e motorit të fikur të VETË -NDËRGJEGJËSIMIT, me siguri do na ndihmojë në kapërcimin e kësaj pengese të re në udhën e fitimit të betejës me “këtë armik të padukshëm”.

Foto-citim nga apeli i Dr. Kalos

KUJDES kolegë mjekë apo farmacistë me përdorimin e parakohshëm ose të pavend të Antibiotikëve / Antibakterialëve dhe Kortikosteroideve shpesh në doza të larta dhe kohëzgjatje marramendëse! Përpos Antibiorezistencës së mikroorganizmave qarkulluese, të cilat mundet t’i mbivendosen një infeksioni viral si Sars-Cov2/Covid-19 ose Virozave të tjera stinore, të nxitur nga përdorimi vënd e pavënd i Antibakterialëve/Antibiotikëve, një ROL NEGATIV në përgjigjen imunitare të organizmit ndaj kësaj “flame mbarëbotërore”, po luajnë dhënia e dozave të larta të Kortikosteroideve (mbi 1 mg për kilogrampeshë të cilat janë doza imuno-supresore), qysh me dyshimin e infeksionit në fjalë dhe në kohëzgjatje të pa justifikueshme!

Studimi i fundit i ISHP-së qartazi shprehet se: ”Nga 1500 të sëmurët e përfshirë në studim vetëm 54% e tyre kanë krijuar Imunitet pas kalimit të Covid-19, pikërisht për shkak të përdorimit të kortikoideve me doza të larta, që në fillimet e sëmundjes.” (Dr. B. Malaj e bashkp.)

PO ashtu “mozaiku i antiviralëve” të përshkruar në trajtimin e të sëmurëve me Sars-Cov2 si Favira, Tamiflu, Remdesivir, Truvada, etj. apo i antiparazitarit Ivermectin, NUK kanë treguar asnjë dobiprurje sinjifikative në ecurinë e rasteve, përkundrazi.

KURRË nuk është vonë të nxjerim mësime nga gabimet e mundëshme të bëra në përballjen me Pandeminë e Sars-Cov2/Covid-19. DËGJONI më me kujdes këshillat e profesionistëve të fushës, dhe më pak vesh e mëndjehapur ndaj GJITHOLLOGËVE, të cilët fatkeqsisht po gëlojnë shumë këto muajt e Pandemisë.

Vjeshta e vonë dhe Dimri do “hedhin në tregun e virozave të stinës” viruse të tjerë respiratorë sidomos viruset e gripit stinor, të cilët edhe ato do shkaktojnë jetëlëndimet dhe jetëmarrjet e tyre. ANDAJ masat për pakësimimin e mundësisë së përhapjes së Sars-Cov2/Covid-19: VETË-NDËRGJEGJËSIM, MHD, VAKSINIM (ndaj Gripit në këtë rast, përpos vaksinimit ndaj Sars-Cov2), do jenë po aq të dobishme edhe ndaj këtyre virozave stinore.

NE të gjithë ishim, jemi dhe do të vijojmë të jemi si kurdoherë këtu në vijën e parë të përballjes me virusin jetëlëndues dhe jetëmarrës të Sars-Cov2/Covid-19. Përkujdesi, Puna dhe Profesionalizmi ynë do të jenë gjithmonë në Shërbimin tuaJ!

Together forever!!!

****

Marrë me lejen e autorit nga faqja e tij në Facebook