Nga 11 janari inspektorët tatimorë të verifikimit në terren do të jenë të pajisur me kamera regjistruese, për regjistrimin e veprimeve të kryera gjatë verifikimeve në terren në vendushtrimet e aktiviteteve të Tatimpaguesve, njoftoi Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.

Tatimet kanë njoftuar se në kuadër të masave të marra kundër informalitetit në Ekonomi, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka ndërmarre së fundmi nismën për pajisjen e inspektoreve të verifikimit në terren me kamera regjistruese, për regjistrimin e veprimeve të kryera gjatë verifikimeve në terren në vendushtrimet e aktiviteteve të Tatimpaguesve.

Kjo nismë, sipas tatimeve synon të:

-garantojë përmbushjen e detyrave funksionale të punonjësve të administatës tatimore gjatë ushtrimit të detyrës;

-të garantojë përmirësimin e sjelljes dhe komunikimit të administratës tatimore me tatimpaguesit duke shmangur kështu rastet abuzive dhe/ose korruptive;

-të rrisë transparencën dhe zbatimin korrekt, konform të legjislacionit tatimor ne fuqi.

-garantimin e përpunimit të të dhënave të regjistruara vetëm në funksion të qëllimit për të cilin është kryer regjistrimi duke mos i keqpërdorur këto të dhëna.

Testimi i këtyre kamerave regjistruese do të nisë ditën e hënë më datë 11.01.2021 në qarkun e Tiranes.