Juventusi nuk po gjen paqe këtë sezon. Nuk ka vazhdimësi në rezultate dhe as siguri për të ardhmen. Hedhja e fanellës në tokë dhe mërzia e Cristiano Ronaldos në ndeshjen e fundit të fituar nga Juventusi përballë Genoa-s duket se ka ndezur më shumë polemikat…

Por detaji që ka dalë sot nga La Repubblica, sigurisht nëse do të ishte e vërtetë, është shumë e fortë. Përpara largimit nga Juventusi, Massimiliano Allegri, duket se në një moment i ka thënë presidentit Andrea Agnelli këtë fjali: “Lirohu nga Cristiano Ronaldo! Bëj çmos që ta heqësh në fund të sezonit. Është duke të penguar rritjen e ekipit dhe të klubit”. Por klubi vendosi në atë kohë të largonte vetë Allegrin.  

Kujtojmë që Ronaldo ka edhe një tjetër vit kontratë me Juventusin dhe ndaj nuk dihet se çfarë do të bëjë në fund të këtij sezoni. Ai po lufton për Këpucën e Artë në Serie A, por edhe një finale Kupe ndaj Atalantës.

Momentalisht nuk ka ndonjë ofertë për yllin e Juventusit, i cili përfiton 30 milion euro në sezon. Problemi tjetër janë lehtësirat fiskale që krijon Italia dhe Ronaldo askund nuk do të kishte përfitime të tilla.