Gjatë konferencës së përbashkët me Zëvendëspresidentin e Komisionit Europian, Josep Borrell dhe Komisionerin për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, kryeministri iu përgjigje pyetjes së gazetarëve se kur do të kemi një datë për integrimin në BE.

Rama tha se nuk mund të ketë një datë dhe se nuk funksionon në këtë mënyrë procesi i integrimit.

I së njëjtës linjë ishte edhe Varhelyi kur tha se nuk punojnë me afate, por shtoi se kur vendi të ketë përmbushur të gjitha kushtet, do të jetë pjesë e BE. Ai tha po ashtu se Shqipëria do të anëtarësohet kur të jetë integruar ekonomikisht, në pikëpamjen tregtare dhe të investimeve.

A kemi një datë se kur do të anëtarësohet Shqipëria në BE?

Varhelyi : Është një pyetje që më bëhet sa herë vij në Tiranë. Çdo gjë është në vendin e duhur, varet sa shpejt përmbushen kushtet për anëtarësim nga Shqipëria. Nuk po punojmë me afate sepse nuk çojnë tek realizimet. Vendi do jetë gati të anëtarësohet kur ekonomikisht, në pikëpamjen tregtare dhe të investimeve, të jetë i integruar.

Rama: Nuk e di si të përgjigjem se janë pyetje që të çarmatosin dhe përsëriten. Keni lexuar apo studiuar historinë e integrimit, dhe keni parë ndonjë datë për filan vend? Nuk ka ndodhur kurrë? Për çfarë dhe kujt ia kërkoni këtë datë? Data vendoset kur përmbushen kushtet e brendshme dhe të jashtme, dhe këtë nuk mund ta parashikojë askush. Ne nuk vijmë nga një histori e ndonjë vendi që janë sot anëtarë të BE, ata kanë pasur shtet kur ne nuk dinim ku ishim, dhe ndërtimi i një shteti funksional në të gjitha aspektet nuk është një fjalë gojë. Me këtë BE që kemi sot, mund të anëtarësohemi brenda kësaj dekade.

Ndërkohë Borrell-it i është kërkuar edhe një mendim për mosregjistrimin e PD si subjekt zgjedhor, por ai u shpreh se nuk i takon të komentojë për procedura të brendshme ligjore

A është e shqetësuar BE që dy muaj para zgjidhjeve, PD nuk është regjistruar ende?

Borrell: Mendoj se nuk është vendi që unë të komentoj procedurat ligjore të brendshme, se jam plotësisht i bindur që këto çështje i përkasin vendit dhe shtetit shqiptar.

Rama: Po, por kanë nevojë t’ia thoni ju… (Dëgjohen të qeshura në sallë)

Borrell: Mendoj se zgjedhjet do të mbahen sipas standarde ndërkombëtare.