I pyetur se kur do të nisin protestat opozitare pas thirrjes që ai ka bërë për ngritjen në këmbë të shqiptarëve dhe drejtuesve të PD-së, Berisha iu përgjigj se PD është e vonuar pasi grupet dhe qytetarët janë gati.

“Jam i vonuar në artikulimin tim pasi zemrat e njerëzve po ziejnë. Lëvizjet janë interesante nganjëherë u prin nganjëherë të prijnë ato. Kërkesa për protesta janë universale dhe PD është e vonuar. I kemi grupet qytetarët anëtarësinë, grupet e interesit janë të gjithë para nesh dhe do të zbatojmë dhe do të jemi në lartësinë e vendimeve tona ndaj tyre”.

Më tej, Berisha ka bërë akuza të forta për kreun e grupit socialist, Taulant Balla për lidhjet e tij me Dumanin. Në komunikim e tij me gazetarët, Berisha tha se Prokuroria i ka të gjitha provat dhe ai vetë ka zgjedhur që t’ia thotë të vërtetat Ballës vetëm në Parlament.

“Berisha nuk flet pa provat dhe fakte. Garantoj se do t’ia them në sy në Parlament. Dumani ka disa javë që ka filluar të flasë. Unë ju them se do t’ia them në {arlament. Nuk ka nevojë t’ia jap unë prokurorisë, i ka të gjitha në dosje. Mund të thuash pse po i fsheh Prokuroria sepse i ka në dosje. Do të them shumë të tjera. Unë do t’ia them në Parlament sy më sy. Atij dhe cilitdo. Ka opozitë të vërtetë. Çdo gjë dhe shumë të tjera. Ai duhet të tregojë si e shpërbleu Dumanin për ta shpëlarë nga akti i vendosjes së revoles. Ata tregojnë që po e ka vendosur, dyshojnë sepse ky i ka kërkuar të marrin pjesë në fushatën e tij elektorale dhe ai i ka thënë jo. Revolen ia kanë vendosur në një vend që e shihnin të gjithë…Për revolen e fshehur, pesë vetë janë në burg për këtë. Edhe kuptohet që revolen e kanë vendosur. Po si do e shihnin në një vend të dukshëm një revole krimi? E kanë zor për të gjetur një revole? Se s’mund ta hidhte ai në Shkumbin. Drejtësia vonon, por nuk harron. Kështu që Tao nuk e ka punën mirë. Ka probleme me drejtësinë. Do ketë, jua them unë juve. Ka dhe probleme të tjera ai. Do t’i bëj publike, por kur do i gjykoj unë. Ai gradualisht do të shkojë atje ku e meriton. Ka problem, është njeri me shumë probleme”.