Nga Aristotel Spiro

Duke shëtitur mbi një tekst, kur po kaloja pranë një fraze me dy emra, më tërhoqi vëmendjen mes tyre një nyjë, që po qante me dënesë. Emrat dhe nyja e frazës ishin «mollët e sherrit».

– Çfarë ke, bukuroshe, që po qan? – e pyeta nyjën.

– Ç’të mos qaj? – m’u përgjegj. – Ky emri pas meje, që po e ndihmoj të lidhet me emrin para meje, pretendon se jam pjesë e tij dhe më ka futur duart e nuk më lëshon. Nuk mjafton që po i shërbej kaq e kaq shekuj, por tani më do edhe për vete. Unë i them: Këtu jam për të të shërbyer, nuk kam ku vete, por ama dinjitetin tim gramatikor do ta ruaj deri në fund.

– Si e justifikon këtë punë emri që ti lidh?

– Ai më thotë se të gjithë e dinë që ti je këtu për mua, të gjithë kur më shqiptojnë mua në fillim shqiptojnë ty, kështu që tani je bërë pjesë e imja. Më thotë edhe disa fjalë, që më vjen turp t’i them: Pa ty nuk mund të rroj, dua të bëhemi një, je pjesë e trupit dhe shpirtit tim. Por të gjitha këto janë gënjeshtra.

Emri «sherrit» u hodh përpjetë duke u justifikuar:

– Këtë nuk e them unë, e thonë ata që kanë studiuar. Kështu është edhe në gjuhë të tjera, kështu është edhe në shqip.

– Nuk është kështu në gjuhë të tjera dhe mos gënje, – i them unë.

– Ashtu, vërtet, – më miratoi nyja. – dhe unë i them këtij: «Shiko punën tënde, unë këtu këtu jam për të bërë punën time, fjalë shërbyese jam vërtet, por nuk mund të bashkohemi në një formë. Pa shiko emrin para meje! Ai ka më shumë të drejtë të më thotë: «Eja bashkohemi», sepse unë pas tij shkoj, atij i ngjaj. Ashtu si ai, unë jam në rasën emërore, por ti je në gjinore. Nuk mund të më bësh me zor rasë gjinore. Nuk përcaktohet prej teje asgjë imja. As numri, as gjinia. Unë jam në gjininë femërore dhe ti në mashkullore. Unë jam në numrin shumë dhe ti në njëjës. Prandaj, më lër të qetë, që të bëj punë ashtu siç duhet!

– Po studimet e studiuesve ç’t’i bëjmë? – pyet emri në gjinore.

– Nuk mendojnë të gjithë ashtu, – u përgjegj nyja.- Asnjëherë nuk kanë menduar të gjithë ashtu. Por, hapin ca libra për gjuhë të tjera, i lexojnë dhe kërcejnë duke thënë: «Le ta shpjegojmë kështu edhe në shqipe».

– Kjo nuk më duket aspak e drejtë, – i thashë. Lëreni nyjën të qetë që të bëjë punën e vet! Nyja është fjalë më vete, punën e bën shumë mirë dhe emri mund të jetë në gjinore pa pasur nevojë të bëhet njësh me nyjën.

– Unë nuk e kam problem, – u përgjegj emri në gjinore, – por më ka zënë halli, se ca studiues më kanë thënë që «Mbaje fort nyjën, se s’kemi ç’i themi dhanores pastaj».

– Ç’punë i prishet dhanores?

– Po ja, po të mos kem unë nyjën, dhanorja thotë: «Jemi njësoj dhe ti nuk mund të quhesh më gjinore, por do të quhesh dhanore». Kurse unë i them: «Meqë jemi njësoj, ti do të quhesh gjinore dhe bëje punën si e ke bërë deri tani, nuk të ndalon njeri». Dhe kështu sherri vazhdon pa mbarim.

Aty pari ndodhej një frazë tjetër e fjalisë: «mollët e kuqe». Së andejmi, nyja që ndodhej para mbiemrit m’u ankua:

– Ato vuajtje që thotë shoqka para emrit nuk janë asgjë krahasuar me vuajtjet e mia. Mua më quajnë të gjithë pjesë të mbiemrit dhe nuk e diskutojnë. Bile, ca studiues më trajtojnë sikur të jem mbaresë. Po kjo pikë e zezë! Shyqyr që s’jam pas mbiemrit, se do ta kisha pësuar si nyja e prapme që përfundoi atje ku është dhe të gjithë tani e quajnë mbaresë. Unë bëj durim, se akoma më shkruajnë veç, domethënë e pranojnë në heshtje që unë kam pavarësinë time, dinjitetin tim. Po kush më garanton mua se nuk do të vijë një ditë që nuk do të më shkruajnë bashkë me mbiemrat? Prandaj, e dashur, le ta ngremë zërin tonë, se, po ndodhi kjo, pastaj të vjen ty radha. Do ta pësojmë si përemrat pronorë, që meqë ishin pakicë, i ngjitën me to dhe i shkruajnë bashkë.

– Përemrat janë fjalë si puna jonë, që u shërbejnë këtyre të tjerave emrave, mbiemrave, me ato s’kemi problem, – tha nyja që ndodhej para gjinores.

– Ju mos u mërzisni fare, – u thashë nyjave për t’i qetësuar. – Studiuesit janë qenie të brishta dhe të pafajshme. Nuk janë të këqinj. Por ndonjëherë harrojnë realitetin dhe gjërat e thjeshta i ndërlikojnë. Gjithë punën e prishin teoritë që merren si të gatshme, imitimet nga gjuhët e tjera. Mirëpo, shqipja, edhe pse ka shumë ngjashmëri me gjuhët e tjera, disa gjëra i thotë me mënyrën e vet. Rasti juaj, moj nyja të dashura, këtë na thotë. Prandaj, studiuesit në vend që t’ju ndryshojnë për shkak të teorive të tyre, duhet të bëjnë të kundërtën: t’i rregullojnë teoritë e tyre duke u nisur nga sjellja juaj e veçantë dhe e shkëlqyer.

Fjalët e mia sikur i ngushëlluan nyjat, por një ndjesi shqetësimi mbeti gjithsesi brenda qenies së tyre.

© Burimi: Blogu “Veritas et Virtus”