Kryeministri Albin Kurti është takuar mbrëmjen e djeshme me presidentin e Francës, Emanuel Macron në Pallatin Elisee. Ai tha se në këtë takim kanë biseduar për dialogun me Serbinë, liberalizimin e vizave dhe për avancimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në fusha të ndryshme.

Kurti tha se nga presidenti Macron nuk ka marrë ndonjë premtim për liberalizim të vizave, por shtoi se Kosova duhet të fokusohet në luftën e krimit dhe korrupsionit.

“Sigurisht që qytetarët e Republikës së Kosovës janë të interesuar për liberalizimin e vizave dhe është e padrejtë që Kosova pas plotësimit të të gjitha kritereve ende nuk e ka të hequr regjimin e vizave. Më 18 korrik të këtij viti bëhen tre vjet prej që Komisioni Evropian ka thënë që Kosovës duhet t’i hiqet regjimi i vizave. Në vizitën tonë kjo çështje është trajtuar. Unë jam i bindur që ata e kanë marrë mesazhin tonë, mirëpo nuk ka zotim nga ana e tyre që të ketë heqje të regjimit të vizave. Kishim edhe një takim paraprak ndërmjet ministrit të Brendshëm Xhelal Sveçla dhe homologut të tij francez, i cili u përqendrua në aspektet teknike të sundimit të ligjit. Gjatë këtyre muajve ne kemi luftuar edhe korrupsionin edhe krimin e organizuar”, tha ai në një intervistë për RTK-në.

Megjithatë shtoi se kjo vizitë do të kontribuojë sado pak që Franca të zbutë skeptizmin e saj ndaj liberalizimit të vizave për Kosovën.

Kurti pranoi se edhe Holanda po krijon pengesa në këtë proces.

“Mund të shpresojmë që sado pak kjo vizitë do të ndihmojë që Franca ta eliminojë skepticizmin e saj. Mirëpo unë nuk mund të them që morëm premtim në këtë aspekt. Duhet të punojmë edhe me Holandën, shpresojmë që nuk ka edhe vende të tjera. Por në fund të fundit ne duhet ta forcojmë shtëpinë tonë, shtetin tonë dhe shpresojnë edhe miqtë që i kemi në BE do të ndikojnë që më në fund kjo padrejtësi ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës të marrë fund”, tha ai pas përfundimit të takimit me presidentin Macron.