Nuk ka zgjidhje ideale për krizën energjetike. Kështu u shpreh kryeministri i Kosovës Albin Kurti, një ditë pasi zyra e Rregullatorit për Energji miratoi rritjen e çmimit të elektricitetit. Në përpjekje për të argumentuar vendimin, shefi i ekzekutivit tha se gjatë muajve të dimrit Kosova ka importuar 40% të energjisë elektrike dhe çmimet e importit kanë qenë deri në shtatë herë më të shtrenjta se zakonisht.

Megjithatë Kurti sqaroi se 74% e konsumatorëve të thjeshtë nuk preken nga rritja. Kurti shtoi më tej se çmimet e importit të energjisë nuk pritet të ulen, prandaj bëri thirrje për përdorim racional. Ai tha se qeveria ka rritur shumën e subvencioneve deri në 100 milionë euro për të lehtësuar situatën.

Zyra e Rregullatorit për Energji në Kosovë ka miratuar të martën tarifat e reja për energji elektrike. Rritja prek konsumatorët që shpenzojnë mbi 800 kv në muaji. Fillimisht ky institucion kishte propozuar rritje për konsumatorët që shpenzojnë mbi 600 kilovat. Tarifat e reja hynë në fuqi me 9 shkurt dhe do të aplikohen deri më 31 mars të vitit 2023.