Gledis Nano është emëruar zyrtarisht Drejtori i ri i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit pas dorëheqjes së Ardi Veliut nga ky post një ditë më parë.

Gledis Nano u propozua nga ministri i Brendshëm Bledi Çuçi për postin e drejtorit të Policisë së Shtetit dhe u firmos nga zv/Kryeministri Arben Ahmetaj në mungesë të Kryeministrit Edi Rama.

Gledis Nano ka mbajtur postin e Drejtorit të Anti-Terrorit në Policinë e Shtetit.

Në muajin Gusht, Gledis Nano mori çmim vlerësimi nga ambasadorja amerikane Yuri Kim për bashkëpunimin dhe përkushtimin e tij në mbështetje të përpjekjeve të përbashkëta të Ambasadës Amerikane me Policinë e Shtetit Shqiptar për të luftuar terrorizmin global. Gledis Nano ka luajtur rol të rëndësishëm në riatdhesimin e shqiptarëve që ndodhen në kampet e Sirisë.

Ndërkohë, një ditë më parë Ardi Veliu deklaroi dorëheqjen nga funksioni përmes një letre drejtuar Kryeministrit Edi Rama. Në letrën e dorëheqjes Veliu thoshte se ka vendosur të mos kërkojë një mandat tjetër, me qëllim që t’i përkushtohet më shumë familjes së tij.

Kush është Gledis Nano

Nano ka qenë një prej zyrtarëve të Policisë së Shtetit më të përfshirë në çështjen e riatdhesimit të familjarëve të luftëtarëve shqiptarë të ISIS, të mbetur në Siri.

Me një përvojë prej 17 vitesh në Policinë e Shtetit, 40-vjeçari me origjinë nga Skrapari do të ngjitet në majë të piramidës së uniformave blu. Që prej kohës kur u emërua në krye të Antiterrorit, kredencialet e Gledis Nanos janë rritur.

Ai mori në verë të këtij viti edhe një vlerësim prej amerikanëve, me të cilët ka pasur një bashkëpunim të gjatë dhe të ngushtë gjatë ushtrimit të detyrës. Ambasada amerikane në Tiranë publikoi fotot e dekorimit shoqëruar me vlerësimin për Gledis Nanon, për merita të veçanta dhe ndihmën e dhënë për stafin e sigurisë së ambasadës. Me këtë rast pati edhe një ceremoni për Gledis Nanon. Për shkak të detyrës ai ka pasur një rol aktiv edhe në riatdhesimin e shqiptarëve prej kampeve në Siri. Ka udhëtuar bashkë me Ramën dhe ministrat e Brendshëm, Lleshaj e Çuçi, në Liban. Në krye të Antiterrorit ai përfundon kështu një cikël gati 5-vjeçar si drejtues edhe i operacioneve të tjera delikate. Kujtojmë këtu për shembull dëbimin e diplomatëve iranianë apo rusë nga vendi jonë.

Dosja e famshme e “Imamëve” është një tjetër çështje e hetuar prej tij. Veç trajnimeve të ndryshme ndërkombëtare nga agjenci të njohura në fushën e sigurisë, Gledis Nano në vitin 2017 u diplomua në Akademinë Kombëtare të FBI-së në Quantico Virginia.