Muhamet Rrumbullaku është emëruar Drejtori i ri i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi pas mbledhjes së qeverisë.

“Zoti Rrumbullaku është një oficer karriere që ka mbajtur dhe kryer shumë detyra në gjithë piramidën e Policisë së Shtetit, i vlerësuar në çdo pozicion që ka qenë”, theskoi Çuçi.

Kush është Muhamet Rrumbullaku?

Muhamet Rrumbullaku është diplomuar “Specialist i Lartë Policie” në vitin 1988 pranë Akademisë së Policisë, në Fakultetin e Drejtësisë Tiranë dhe ka marrë titullin Jurist në vitin 2010.

Në 2017-ën ka mbajtur postin e Këshilltarit në Kabinetin e Ministrit të Brendshëm Dritan Demiraj në qeverinë teknike.

Në vitin 2008 Rrumbullaku ka mbajtur postin e Drejtorit në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë.

Rrumullaku ka ndjekur disa trajnime, certifikuar në Shqipëri, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Hungari.

Në nëntor të vitit 2020, Rrumbullaku kaloi me sukses vetingun në Polici. Një foto e tij ku shfaqej në krah të Arben Frrokut, të dënuar për vrasjen e kryekomisarit Dirtan Lamaj në vitin 2013 ngriti dyshime për pastërtinë e figurës, por pas deklarimeve të Rrumbullakut, komisioni i vlerësimit doli në përfundimin se foto ishte rastësore dhe nuk mund të quhej si kontakt i papërshtatshëm.

Nga viti 2019 deri më 2022 ka mbajtur postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme, të cilin e dorëzoi disa ditë më parë dhe aktualisht mbahet nga Ardi Veliu.