Gazeta italiane “Domani” ka zbardhur një raport nga zyra e Bankës së Italisë kundër pastrimit të parave ku citohet se një grua shqiptare ka marrë para nga kreu i “Forza Italia”.

Sipas të njëjtave burime, ish-kryeministri Silvio Berlusconi i ka kaluar 70 mijë euro shqiptares Julinda Llupo. Ajo është datëlindja 1987, e lindur në Tiranë dhe banuese në Itali. Ato janë dorëzuar në 9 këste, në periudhën kohore, shkurt – tetor 2020.

Transaksioni është kryer përmes etiketimit “dhuratë apo hua” nga llogaria personale bankare e ish kryeministrit italian në atë të gruas shqiptare. Gazeta shkruan se Llupo, e cila ka disa aktivitete në Itali, i ka përdorur paratë edhe për të paguar qiranë e një apartamenti në pronësi të Cosimo D’Arrigo, një gjyqtar të Gjykatës së Lartë, i cili në vitin 2012 ishte pjesë e bordit që liroi Berlusconin në gjyqin “Mediatrade”, në lidhje me fondet e zeza të pretenduara të Mediaset.

Shqiptarja dhe bashkëshorti i saj nuk kanë dashur të shpjegojnë ngjarjen. Nga ana tjetër, magjistrati pretendon se nuk di asgjë për marrëdhëniet mes Llupos dhe Berlusconit dhe se e ka ndërgjegjen e pastër.