Mbrëmjen e kaluar menjëherë pas mbylljes së procesit të votimit, televizionet nisën të publikonin Exit Poll-et e para.

RTV Ora në bashkëpunim me Noto Sondaggi raportuan se nga 80% e qytetarëve që kanë votuar për qarkun e Tiranës, PD mposht PS-në dhe fiton kryeqytetin, ndërsa LSI shkon në pikiatë. Ndërkohë në rang vendi, ky Exit Poll nxirrte se fituese e zgjedhjeve është Partia Demokratike me 44 deri në 48 %, PS me 41-45%, LSI 4-8%, PSD 1.5-3.5% dhe Nisma 0.5-2.5%.

Exit Poll-i i Syri Tv ishte edhe më i ashpër, duke thënë se Partia Socialiste ka fituar vetëm 44.2% të votave: PS: 44. 2 – 65 Mandate; PD: 40.4 – 63 mandate dhe LSI: 9.3 – 10 mandate.

Ndërkohë Top Channel raportoi se Partia Socialiste fiton në rang vendi me 46.9%, e pasuar nga Partia Demokratike me 43.9% dhe Lëvizja Socialiste për Integrim me 6.9%.

Por Exit-Poll-e rezultuan shumë larg realitetit, pasi rezultatet paraprake të publikuara deri më tani nga Komisioni Qendror Zgjedhor, treguan diçka tjetër.

Sipas rezultateve të publikuara në 10:01, PS rezulton fituese me 49.51% të votave në rang vendi. Ndërkohë PD vjen e dyta me 38.42% dhe LSI vjen me vetëm 7.11% të votave në rang vendi.

Këto janë të dhënat që dalin nga numërimi në 1696 Qendra Votimi, nga 5199 që janë gjithsej.