Edi Rama këmbëngul në kërkesën drejtuar Lulzim Bashës që të sqarojë rolin e tij gjatë procesit të hetimit të të ashtuquajturave krime lufte të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kryeministri deklaron se ai nuk është akuzuesi.

“Nuk jam unë që e akuzoj Lulzim Bashën, po vetë heshtja e tij e gjatë, shmangia nga ballafaqimi me pretendimet e palëve të tjera, sharjet në vend të shpjegimeve dhe mosshpjegimet e tij tipike për dikë që fshihet, përballë fakteve dhe dëshmive nga organizata e individë krejt të besueshëm, e kanë kthyer Lulzimin në një të akuzuar”, shkruan Rama.

Kreu i Qeverisë se në këtë mes ai personalisht ka vetëm një rol.

“T’i kërkoj Lulzim Bashës t’i sqarojë publikut se kush është ai në këtë mes dhe pse ia kërkojnë atij dëshmitarët hesapin e nuk ia kërkojnë dikujt tjetër?! Dhe pse sipas tij, partia që ai drejton, dje në qeveri e votoi pro rezolutën e Këshillit të Europës, ngritur mbi raportin famëkeq të Dick Marty, të cilin Partia Socialiste, e votoi kundër?!”, vijon Rama më tej.

Rama shprehet se posti si shef i opozitës dhe kandidat për Kryeministër e detyron Lulzim Bashën që të japë një përgjigje.

“Lulzimi nuk është dokushdo dhe këtu nuk flitet as për jetën private, as për punën private, po për një çështje sa publike e deri edhe me interes kombëtar, aq edhe karakteriale për drejtuesin e opozitës, i cili synon të bëhet i pari i shtëpisë sonë të përbashkët”, mbyll reagimin e tij Rama.