Pak orë pasi kreu demokrat Lulzim Basha propozoi mbajtjen e Kuvendit Kombëtar të PD-së më 18 dhjetor, ka reaguar edhe ish-kryeministri Sali Berisha. Në kundërpërgjigje ndaj deklaratës së Bashës, ai tha se Kuvendi Kombëtar i PD-së do të mblidhet më 11 dhjetor, sikurse kanë firmosur 4200 delegatët e tij.

“5 ditë pas dorëzimit të 4200 firmave peng kryetari i PD mbledh kryesinë false të kësaj partie, e cila në masën 60% të saj është zgjedhur në dhunim flagrant të statutit të partisë, jo me votën e fshehtë të Këshillit Kombëtar, por emëruar nga peng kryetari siç donte ai dhe njofton datën që jep pengu i tij Rama për kuvend të PD më 18 dhjetor. Me këtë rast unë dua të garantoj të gjithë firmëtarët e këtij misioni historik firmat e të cilëve do të skaliten në muralin e pluralizmit politik shqiptar, por edhe PD se nuk do ketë kurrë asnjë forcë dhe asgjë që mund të nëpërkëmbë firmat e tyre. Kuvendi i PD do të mblidhet datën e shpallur prej tyre dhe jo sipas rendit të ditës së peng kryetarit, por sipas rendit të ditës që ata guximtarë kanë firmosur në formularin e tyre”.

Duke e konsideruar këtë revolucion paqësor për rikthimin e pluralizmit në Shqipëri, ai akuzoi Ramën dhe Bashën për të cilët pati edhe një mesazh paralajmërues, ndërsa kreun demokrat e ftoi në kuvend në 11 dhjetor.

“Ta harrojë kush se mund të luajë me revolucionin paqësor që po zhvillohet në Shqipëri, ky është revolucioni më paqësor dhe mjerë ata që kërkojnë të përballen më të. Ne po ndjekim me rigorozitet ligjet ekzistuese ndaj i them Ramës hiq dorë se do të hysh në histori njëlloj si daja yt që kërkonte të bllokonte pluralizmin me tanke, mos u shërbe me pengje e stërpengje idealet e demokratëve nuk mund t’i mposhtë askush. Kurse peng kryetarit nuk kam më mesazh të veçantë se ai komandohet nga pengmarrësi, por i them më 11 dhjetor je i ftuar të vish në Kuvendin e PD”.