Këtë të premte fillon legjislatura e 10 e Kuvendit të Shqipërisë. Në sallën e Parlamentit nuk do të ulen 140 deputetë, pasi 4 parlamentarë kanë dhënë dorëheqjen, ndërsa stafetën e kryesuesit të Kuvendit pritet ta marrë Lindita Nikolla.

Vullnetin që qytetarët shprehën në 25 prill, politika do ta materializojë këtë të premte, kur nis punën legjislatura e 10 e Kuvendit të Shqipërisë. Katër vitet e ardhshme do të jenë vendimtare për rrugëtimin europian të vendit, ku pritshmëritë e larta të qytetarëve duhet të konkretizohen nga deputetët që zgjodhën pesë muaj më parë.

Për herë të parë, Kuvendi nuk do të nisë me 140 deputetë, por me katër vakanca. Kjo për shkak se katër deputetë të zgjedhur, Lefter Koka, Najada Çomo e Gramoz Ruçi nga PS si edhe Mark Marku nga PD, kanë dhënë dorëheqjen nga mandatet pa u betuar ende. Për t’i zëvendësuar duhet që Kuvendi i ri, pas konstituimit, të konstatojë procedurialisht vakancat, në mënyrë që t’i kërkojë KQZ-së zëvendësimin e tyre.

Procedura parlamentare parashikon se seancën e parë e deri në zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit e drejton deputeti më i vjetër në moshë. Për ironi të fatit, në sallën e Kuvendit ka deputet me mbi 25 vite aktivitet parlamentar, por seancën hapëse do ta kryesojë inxhinierja Luljeta Bozo, e cila ka mbi supe 78 vite 11 muaj e 8 ditë jetë, ndonëse shkel për herë të parë pragun e Parlamentit.

Inxhinierja do të drejtojë punimet deri në zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, një emër që është bërë publik nga vetë Edi Rama gjatë asamblesë së Partisë Socialiste.

Rregullorja e Kuvendit nënvizon se kryetari i Kuvendit zgjidhet me votim të fshehtë dhe pa debat. Socialistët kanë në sallë 74 vota çka e bën drejtimin e Nikollës të padiskutueshëm. Por, historia në të shkuarën ka treguar edhe surpriza. Gramoz Ruçi katër vite më parë u zgjodh me 80 vota pro, gjashtë më shumë se sa kishte PS. Kësisoj, sfidat politike do tëfillojnë që në seancën e parë, ku palët duhet të kujdesen të shmangin rrjedhje votash dhe flirtim me kundërshtarin.

Fillimi I parlamentit të ri do të jetënjësoj si mbyllja e të vjetrit, nën masat anticovid,me gazetarët që do të vazhdojnë të qëndrojnë jashtë sallës plenare.