Bota e futbollit vijon të jetë ende e shokuar për atë që ndodhi me fantazistin danez Christian Eriksen, i cili u rrëzua në fushë për shkak të një arresti kardiak, megjithatë nga klinika ku është shtruar, vijnë lajme mjaft pozitive.

Ka qenë vetë Federata Daneze e Futbollit, që nëpërmjet një komunikate ka sqaruar se fantazisti ndodhet në gjendje të qëndrueshme shëndetësore dhe komunikon normalisht me familjarët që ka pranë, teksa vijojnë ekzaminimet e plota mjekësore.

“Ne biseduam me të këtë mëngjes, Christian iu dërgoi përshëndetje shokëve të tij të skuadrës. Gjendja e tij është e qëndrueshme, do të qëndrojë në spital për analiza të mëtejshme. Ekipi dhe stafi i ekipit kombëtar morën ndihmë psikologjike, e cila do të vazhdojë të jetë e pranishme pas episodit të djeshëm.

Ne duam t’i falënderojmë të gjithë për mesazhet mbështetëse ndaj Eriksen, nga tifozët te lojtarët, nga Familjet Mbretërore të Danimarkës dhe Anglisë, nga federatat kombëtare, nga klubet… I ftojmë të gjithë të dërgojnë mesazhet e tyre në Federatën Daneze të Futbollit, ne do të sigurohemi që ato të arrijnë te Christian dhe familja e tij”, shkruan Federata Daneze e Futbollit.

Më herët ka qenë mjeku i përfaqësueses daneze, që ka sqaruar se Eriksen arriti të flasë menjëherë pas ndihmës së parë në fushën e lojës dhe vetëm pas këtij momenti u dërgua në spital, për trajtim të specializuar.

Ndërkohë profesori Gaetano Thiene, ekspert i problemeve kardiake te atletët, e ka quajtur një mrekulli rikthimin në jetë të fantazistit danez, teksa është shprehur se falë ndihmës së parë, “Eriksen ka dalë nga paradhoma e vdekjes”.

“Këtë herë ka ndodhur një mrekulli. Kapiteni Kjaer dhe mjekët e kanë marrë Eriksen nga paradhoma e vdekjes dhe i kanë shpëtuar jetën. Një patologji e fshehtë do jetë më siguri, ndaj nuk mund të them nëse do të luajë sërish futboll, por Eriksen është gjallë dhe me këtë kemi fituar të gjithë”, u shpreh profesori Thiene.

Edhe administratori i Interit, Giusepe Marotta komentoi i shqetësuar atë që i ndodhi fantazistit danez dhe zbuloi se Eriksen kishte shkruar në grupin e chat-it të zikaltërve, ku kishte konfirmuar se ishte në gjendje të mirë shëndetësore.