Ende nuk duket fundi i pandemisë. Por ka shpresa pas studimit nga Izraeli mbi transmetimin e virusit pas vaksinimit me vaksinën e BioNTech.

Studimet e fundit në Izrael për efektshmërinë e vaksinës BioNTech janë shpresëdhënëse. Në këto studime paraprake është provuar, se nga vaksina e BioNTech dhe partnerit amerikan, Pfizer mund të pengohet ecuria e rëndë e sëmundjes Covid-19 në afër 99% të rasteve, ka bërë të ditur Ministria izraelite e Shëndetësisë.

Por edhe një lajm tjetër i mirë vjen nga Izraeli: Në një studim vëzhgues ende të papublikuar të prodhuesit të vaksinës dhe ministrisë izraelite, me gjasa vaksina pengon deri në 90% transmetimin e virusit e me këtë edhe infektimin e një personi tjetër. Deri tani ishte e paqartë, nëse vaksina mbron vetëm të vaksinuarit apo edhe njerëzit përreth. Studimi në Izrael sipas raportimeve në media bazohet në të dhënat e 1,7 milionë të vaksinuarve dhe së shpejti do të publikohet me të ashtuquajturën procedurë “Preprint” në një revistë shkencore.

Lirimet e para të masave në Izrael pas vaksinimit

Eksperti gjerman i shëndetësisë dhe politikani socialdemokrat, Karl Lauterbach është shprehur për gazetën “Bild” pas publikimit të lajmit, se “këto vlerësime janë me rëndësi të madhe”. Vaksina vërtet me këtë mundëson një imunitet të tufës dhe mundëson kthimin në jetën normale. Në Izrael e kanë marrë vaksinën gati gjysma e 9,3 milionë izraelitëve. Ky vend është vendi i parë në botë që ka kryer më shumë vaksinime dhe është i përshtatshëm për vëzhgime shkencore në masë.