Ekzistojnë mendime kontradiktore për stilin e Heminguejit në prozën e tij të gjatë.
Ka nga ata që prozën e tij e afrojnë tek reportazhi gazetaresk, për shkak edhe të profesionit të autorit gjatë rinisë së vrullshme ndërmjet dy luftrave botërore dhe gjatë tyre. E akuzojnë për skicime të ftohta gazetareske, ku ngjarjet jepen si të xhiruara në një film, pa ndonjë ndërhyrje emocinale të shkrimtarit. Po ashtu, edhe personazhet, ngjanë si të prera me një bisturi të ftohtë kirurgu. Ndër këta vëzhgues, asnjeri nuk e akuzon shkrimtarin për saktësinë, por kanë rezerva ama për “varfërinë metaforike” të rrëfimit dhe zhveshjen emocionale të heronjve.
Pala tjetër e kritikëve, të kundërtit, e adhurojnë këtë shkrimtar për prozën e tij të rrallë, emocionale dhe poetike. Kjo prozë flet me nëntekst, si poezia, për njerëz që vuajnë nga ngurtësia (kështu i ka bërë koha dhe rrethanat), të pamundur të krijojnë marrëdhënie emocionale, të zhvillohen, të transformohen, të reagojnë drejt atij fundi të pashmangshëm, që i çon me saktësi matematike drejt vdekjes, drejt shuarjes së tyre si karaktere.
Kjo është jeta dhe, nëse ajo nuk ngjan dhe kaq poetike, nuk është faji i shkrimtarit. Në vend të manisë për ta parë Heminguejin si një “kalorës të rreptë të shek. 18-të”, duhet të hulumtojmë më thellë në veprën e tij, të gjejmë lumenjtë e nëndheshëm të prozës që shkroi dhe të kuptojmë se nënshtresa fsheh shumë gjëra më tepër, se sa ato që shikojmë. Aty patjetër është edhe poezia.
Personalisht, jam i prirur tek e dyta. Hemingueji ishte një mjeshtër i shkëlqyer i rrëfimit, jo vetëm prozator, por edhe poet (paçka se poezia nuk ishte në repertorin e tij të shkrimit). Ka pasazhe të panumërta tek romanet e tij, të cilat janë proza të mrekullueshme poetike…
(Qysh e menduan të kundërtën kritizerët e tij!)

SEX ROMAN

Nëse duam të konkretizojmë këtë ide me një roman të veçantë të Heminguejit, ai do të ishte para së gjithash “Lamtumirë, armë!”, të cilin shumë e konsiderojnë si më të mirin e autorit. Ngjarja rrëfen një luftë, por nuk është vetëm kaq. Është historia e një djaloshi që shkon në një luftë, me aspiratën se “do t’iu jepte fund gjithë luftrave të tjera.”
U regjistrua vullnetarisht në ushtri, shërbeu si transportues të plagosurish në frontet e betejave, u plagos dhe u dekorua. Është historia e vetë Heminguejit në rininë e tij dhe prej kësaj përvoje lindi ky roman. Brendaj këtyre ngjarjeve reale ndihet krejt natyrshëm frika nga tmerret e luftës, miqësia midis luftëtarëve, guximi i burrave dhe grave në front. Por “Lamtumirë, armë!” nuk është thjesht dhe vetëm një roman luftarak. Atëhere do ishte një reportazh lufte. Nuk është e rastësishme që në qendër shkrimtari vë një histori dashurie, tepër tragjike, pasionante dhe e pakushtëzuar. Një ndjenjë kaq e fortë, e cila mund të quhet edhe një hymn dantesk dashurie. Thuhet se kjo dashuri është sintezë e tre dashurive të mëdha që përjetoi Hemingueji në periudhën 1918 – 1929.
Përtej faktorëve autobiografikë, kjo histori përgjithësohet artistikisht në vepër, përmbytet nga pasioni poetik i dashurisë dhe bie në antitezë me dekorin e luftës tragjike përreth. Këtu qëndron madhështia, tek antiteza, siç është vetë jeta, kontradiktore.
Të rikthehemi tani tek stili: reportazh apo prozë poetike? Romani “Lamtumirë, armë!”, kryevepra e autorit, është i mbushur plot me poezi, si tek përshkrimet, ashtu edhe tek skicimi i karaktereve dhe shpalosja e marrëdhënieve midis tyre. Kjo ra në sy menjëherë, qe diçka e pazakontë për kohën, kështu që reagimet kundërshtuese (si për çdo gjë përtej kohës reale) nuk munguan. Me të parë dritën e botimit, romani u ndalua të përkthehej dhe të qarkullonte në shumë vende jashtë SHBA-së. Arsyeja? Skandaloze: ishte, sipas tyre, një “sex roman”! Gjer edhe në Italinë e lirive të tilla, u ndalua fillimisht…
Doemos, seks ka në roman, madje shumë, ngaqë thjesht është pjesë e jetës dhe rrëfimi i saj nuk bëhet ta shmangë. Xhanëm, si mund të shmangej, kur kemi të bëjmë me një histori dashurie?! Kritika tashmë ka zbuluar, qysh në gjallje të autorit – i cili nuk e përgënjështroi kurrë të vërtetën e natyrshme – se pas dashurisë së heronjve, fshihet ajo personalja e Heminguejit, me muzën e përhershme të tij, infermieren Agnes fon Kurowsky, e cila i shpëtoi jetën në Itali, gjatë Luftës së Parë Botërore, madje i fali edhe dashurinë e saj për ca kohë. Këtë dashuri Hemingueji nuk e kapërceu kurrë. Sa realiste, kjo marrëdhënie është edhe poetike. Mes terrenit të pështirë të Luftës, ajo mbiu dhe lulëzoi si një bimë e rrallë.
Le ta fokusojmë pak më tepër, pasi, siç e thamë, kjo histori dashurie u bë shkak për lindjen e një vepre kaq të rëndësishme, siç është romani “Lamtumirë, armë!” i Ernest Heminguejit…

ZAMBAK NË FUSHËN E MBJELLË ME GJYLE

Dashuria me infermieren Agnes Von Kurowsky, në një nga frontet e Italisë, ishte e para e madhe për Heminguejin, nga ato që i cilësojmë “histori jete”. Mbarimi i saj shkaktoi problem të madh tek shkrimtari i ri, vetë ai kishte shprehur paskësaj “probleme lidhjeje dhe mosfunksionimi”. Kaq i madh ishte shoku i ndarjes me të. Ajo grua amerikane, tej mase e gjatë dhe e gjallë, tejet e paraqitshme, që për nga emri ngjante me tektone, shkaktoi një përmbysje shpirtërore tek Ernesti i ri. Gjashtë vjet më e madhe se ai, e rrethuar nga mjekë dhe oficerë të lartë që e mëtonin si të ishte mbretëresha Penelopi e Odiseut, nuk mund të përfundonte, në fund të fundit, në prehrin e një ushtari të ri dhe xhepshpuar amerikan, që ëndërronte të bëhej shkrimtar. Fati i kësaj dashurie ishte i parashkruar, edhe pse për një farë kohe kishte ekzistuar një marrëdhënie e zjarrtë erotike. Mbase prej kësaj arsye, Hemingueji nuk mundi kurrë më të stabilizohej brenda një dashurie. Kishte më vonë katër martesa të dështuara. Veçse ajo çka fitoi nga kjo dashuri e dështuar, ishte më shumë nga ajo që humbi. Me figurën e Agnes Von Kurowsky, shkrimtari i ardhshëm gjeti modelin më ideal letrar të një dashnoreje.Prandaj aty ku e përdori korri sukses të jashtëzakonshëm.
Disa kritikë të veprës së Heminguejit e cilësojnë këtë marrëdhënie tremujore dashurie si “jo dhe kaq të rëndësishme.” Po pse atëhere kjo figurë shfaqet gati në të gjitha romanet e paskëtajme të tij, pse u bë modeli qëndror erotik tek kryevepra “Lamtumirë, armë!”? Gjithashtu, kjo linjë është cilësuar “nga më të mirat histori erotike letrare në veprat për Luftën e Parë Botërore.”… Leximi i këtij romani të bind…
_____

Nga Grigor JOVANI
Athinë, maj 2023