Është ndarë nga jeta në moshën 81-vjeçare aktorja e mirënjohur e teatrit shqiptar Edi Luarasi. Arti ynë ka humbur kështu një tjetër figurë të spikatur. Ajo ka luajtur shumë role por më të spikaturit janë; “Njolla të Murme”, Lena te “Doktor Aleksi”, Kordelja te “Mbreti Lir”, Cuca te “Cuca e maleve”, Kristina te “Fytyra e dytë”.

Aktorja sfidante u përjashtua nga Teatri Kombëtar në 22 janar 1974, për arsye politike, për t’ u rikthyer në skenë në mars 1991, me interpretimin dinjitoz të rolit të damës plakë në dramën “Vizita e Damës plakë”.

Për ndarjen nga jeta të saj ka shprehur ngushëllimet edhe presidenti Meta, i cili e ka vlerësuar artisten me Dekoratën e Lartë “Nderi i Kombit” dhe thotë se do të mbetet një figurë frymëzuese për artistët e rinj.

“Me shumë keqardhje mësova lajmin e ndarjes nga jeta të aktores së mirënjohur dhe të talentuar, Edi Luarasi, një prej ikonave të filmit dhe skenës shqiptare, të cilën vetëm pak muaj më parë pata privilegjin ta vlerësoj me Dekoratën e Lartë “Nderi i Kombit”.

Edi Luarasi, do të mbetet një figurë frymëzuese për artistët e rinj, veçanërisht për vajzat dhe gratë, si shembull i kurajës qytetare, lirisë, vlerave dhe dinjitetit njerëzor, që sfidoi diktaturën për të triumfuar si dëshmitare e padrejtësive absurde të regjimit të kaluar.

Duke ju shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes dhe komunitetit të artistëve, lutem të prehet në paqen e merituar!”, shkruan Meta.