Është ndarë nga jeta në moshën 75-vjeçare aktori i mirënjohur i humorit Koço Devole. Aktori i shumë roleve në telekomedi të ndryshme ndërroi jetë si pasojë e komplikacioneve nga virusi Covid-19, ku prej disa ditësh ishte shtruar në spital i intubuar në gjendje të rëndë shëndetësore. Veçse aktor i njohur, Devole ka qenë edhe regjisor, skenarist, karikaturist dhe prezantues spektaklesh, një artist me talente të ndryshme.

Devole u lind më 28 nëntor 1945 në Kuçovë. Ai u rrit në Tiranë pasi familja e tij u zhvendos në kryeqytet pas përfundimit të Luftës Nacional-Çlirimtare.

Studioi për inxhinieri mekanike ndërsa përpjekjet e tij për t’u futur në Akademinë e Arteve nuk u shpërblyen. Sidoqoftë kjo nuk e ndaloi atë të kishte një karrierë të suksesshme në art.

Në vitin 1966 punoi si aktor dhe regjisor në “Estradën e Shtëpisë Qendrore të Ushtrisë” përkrah aktorëve të njohur si Aleko Prodani, Roland Trebicka, Zef Deda, Sejfulla Myftari. Më pas ka punuar edhe në revistën “Hosteni” si karikaturist.

Në vitin 1978, aktori i njohur punoi në Radio Televizionin Shqiptar si redaktor, skenarist dhe regjisor i programeve të ndryshme artistike. Ka qenë skenarist dhe aktor në koncertet e vitit të Ri të Radio Televizionit Shqiptar në vitet 1979–1997 si edhe autor, regjisor dhe aktor në telekomedi të ndryshme.

Aktori i ndjerë Koço Devole ka qenë autor dhe regjisor i shumë spektakleve skenike me trupën e Estradës së Tiranës, Fierit, Beratit.

Aktiviteti më i rëndësishëm i karrierës së tij ishte në mes të viteve 90-të ku në disa bashkëpunime me Pali Kuken, Agim Bajkon, Agron Llakën, Mehdi Malkajn dhe Vasillaq Vangjelin, sollën në ekranet shqiptare komedi si “Mos shko o trim”, “Një  ditë  i çmendur”, apo “Gjuetia e fundit” dhe “Të gjallë apo të vdekur”, vepra të cilat mbeten ndër të vetmet që kanë ironizuar periudhën e regjimit komunist dhe diktatorit Enver Hoxha.

Vitet e fundit Devole ka punuar në emisionin investigative “Fiks Fare” ku ka spikatur me rubrikat e shumta. Devole ka qenë i martuar dhe baba i dy djemve.

Mesazhe ngushëllimi nga politika

Ruçi: Shqipëria humbi një artist universal

Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi,  ka reaguar sot me një mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të artistit Koço Devole.

“Koço Devole ishte një artist universal dhe me krijimtari të gjatë: aktor, regjisor, prezantues spektaklesh, skenarist dhe karikaturist. Në të gjitha gjinitë e artit që krijoi, ai i mbeti besnik  humorit. Nëpërmjet humorit të tij origjinal, fshikulloi të keqen dhe negativitetet e shoqërisë. Koço do të mbahet mend gjatë për kontributet e tij për të lartësuar të mirën mbi të keqen, të bukurën mbi të shëmtuarën, gëzimin mbi mërzinë”, shkruan në mesazhin e tij të ngushëllimit Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi.

Meta: U prehsh në paqe Koço Devole, humori shqiptar humbi një kolos

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka ngushëlluar familjarët, të afërmit e të gjithë artistët për lajmin e trishtë të ndarjes nga jeta të aktorit të njohur Koço Devole.

Meta thotë se humori dhe arti shqiptar kanë humbur një prej kolosëve dhe figurave më të dashura.

“Sa shumë trishtim nga ky lajm! Sikur të na thoje se bëre shaka, nga ato të kripurat, që ti na bëje gjithmonë!  Humori dhe arti shqiptar padyshim humbën një prej kolosëve dhe figurave më të dashura, i cili do të na mungojë të gjithëve. Familjes Devole, të afërmve dhe gjithë artistëve ju shpreh ngushëllimet më të ndjera! Do të kujtojmë gjithmonë duke qeshur i dashur Koço! U prehsh në paqe”, shkruan Meta.

Basha: U prehsh në paqe Koço Devole

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u ka shprehur ngushëllimet familjarëve të aktorit të njohur Koço Devole, i cili u nda nga jeta pasi humbi ditën e sotme betejën me koronavirusin.

“Ngushëllimet e mija për familjen, të afërmit dhe miqtë e aktorit të madh të humorit shqiptar Koço Devole që humbi jetën tragjikisht në betejë me Covid19. U prehtë në paqe”, shkruan Basha në Tëitter.

Veliaj: Koço Devole, emblema e humorit shqiptar

Për humbjen e Devoles reagoi edhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj. Shumë të hidhur e konsideron këtë lajm Veliaj, ndërsa thotë se Koço Devole ishte emblema e humorit shqiptar.

“Shumë e hidhur ndarja e beftë nga jeta e aktorit fort të dashur, Koço Devole. Ai ishte emblema e humorit shqiptar, na la pas shumë e shumë personazhe, me të cilët qeshim edhe sot. U prehsh në paqe! Ngushëllime familjes”, shkruan Veliaj.

Rama: Lamtumirë i shtrenjti Koço

Kryeministri Edi Rama ka reaguar në rrjetet sociale pas lajmit të trishtë të ndarjes nga jeta të aktorit të njohur Koço Devole.

“Lamtumirë i shtrenjti Koço! U prehsh në paqe”, shkruan Rama në Facebook.