Pavarësisht eliminimit nga Champions League në raundin e 1/8-ave nga Paris Saint Germaine forma që ka treguar Barcelona në muajt e fundit ka qenë me të vërtetë për t’u duartrokitur. Me Ronald Koeman në krye blaugranat kanë siguruar finalen e Kupës së Mbretit duke përmbysur humbjen 2-0 të gjysmëfinales së parë ndaj Sevillas, ndërkohë që falë një serie të gjatë rezultatesh pozitive radhazi në La Liga, Barça papritur e sheh veten në garën për titull pasi është vetëm 4 pikë larg Atleticos kryesuese. Koeman u zgjodh për të drejtuar Barcelonën në fillim të këtij sezoni nga ish-presidenti Josep Maria Bartomeu dhe me marrjen e drejtimit të klubit nga ana e Joan Laportës që fitoi zgjedhjet e reja pak javë më parë, e ardhmja e holandezit në stol u vu në diskutim.

Megjithatë nga ajo që raportohet nga Spanja, e ardhmja e Koeman është zgjidhur. Presidenti Laporta, i shoqëruar nga drejtues të tjerë të klubit, kanë takuar trajnerin dhe i kanë shprehur besimin e plotë në aftësitë e tij dhe kanë dhënë garancinë se holandezi do të jetë te Barça edhe në sezonin e ardhshëm.

Përveç kësaj, Koeman ka pasur kërkesat e tij konkrete. Trajneri ka kërkuar që merkatoja e Barcelonës të mos bëhet pa dijeninë e tij. Ai nuk dëshiron asnjë lojtar, që nuk është në planet e tij, përndryshe do të ndodhë si me Pjanic ose Fernandes, që ngrohin stolin.

Koeman dëshiron t’u tregojë lojtarëve planet e tij përpara se ata të vendosin nëse duan të vijnë në Barcelonë. Jo vetëm kaq, por holandezi është gati të ndërhyjë për të negociuar me lojtarë specifikë për të ardhur në “Camp Nou”. Deri më tani nën drejtimin e Koeman, Barcelona nuk ka bërë asnjë afrim.