Biznesmeni italian, Françesko Beketi, po përpiqet të marrë dëmshpërblimin financiar që ka fituar në arbitrazh kundër Shqipërisë, duke konfiskuar asete jashtë vendit.

Sipas një artikulli të mediumit belg “L’Echo”, Beketi ka fituar në Belgjikë gjyqin për konfisikimin e honorareve të Shqipërisë në organizatën “Eurocontrol”.

Shqipëria është një nga 41 anëtarët e këtij organi evropian përgjegjës, ndër të tjera, për mbledhjen e tarifave të paguara nga linjat ajrore për fluturimet mbi territore të ndryshme. Këto tarifa më pas rishpërndahen tek shtetet nga Eurocontrol. Janë pikërisht honoraret që Eurocontrol i detyrohet Shqipërisë që janë sekuestruar sipas “L’Echo”.

Në shkrim thuhet se shteti shqiptar i detyrohet Beketit 107 milionë euro por refuzon t’i paguajë.

Çështja e Eurocontrol është kundërshtuar nga pala shqiptare e cila e ka apeluar atë në gjykatat belge dhe pritet të marrë një përgjigje të enjten.

Në nëntor të vitit të kaluar, e përditshmja austriake “Der Standard”, publikoi një artikull të ngjashëm, ku thuhej se Beketi po kërkon konfiskimin e pasurive të Shqipërisë në Austri.

Gjykata e Qendrës Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve (ICSID) pranë Bankës Botërore ka vendosur që shteti shqiptar duhet t’i paguajë rreth 100 milionë euro biznesmenit italian Françesko Beketi dhe ortakëve të tij për shpronësim të padrejtë të investimeve të tyre në një televizion privat.

Sipas vendimit të ICSID, qeveria shqiptare, me vendimet e saj, ka shkatërruar investimet e bëra nga Becchetti dhe ortakët e tij në shoqërinë mediatike Agon Set, pjesë e të cilit ishte dhe televizioni Agon Channel.