Pas mjekëve dhe logopedëve, testimet për licencat e reja në shëndetësi do të vijojnë me farmacistët, stomatologët, fizioterapistët, si dhe teknikët e imazherisë dhe të laboratorit. Për secilin profil tashmë është shpallur nga Qendra e Shërbimeve të Arsimit edhe lista e kandidatëve që plotësojnë kushtet për të hyrë në provimin e shtetit përgjatë javës së ardhëshme për të siguruar lejen e ushtrimit të profesionit. Pas verifikimeve të bëra, 703 kandidatë janë kualifikuar për të hyrë në testimet e licencës që do të zhvillohen ndërmjet datave 18-22 janar. Për secilin prej kandidatëve është përcaktuar data dhe ora se kur duhet të paraqiten për të zhvilluar testin e informatizuar, detaje të cilat i gjeni të plota në listën bashkangjitur shkrimit.

“Provimi i shtetit do të zhvillohet në godinën e Qendrës së Shërbimeve Arsimore. Në lidhje me orarin e pjesëmarrjes në provim, ju bëjmë me dije se oraret do të jenë të përcaktuara për çdo kandidat dhe nuk do të ketë ndryshime orari përtej planifikimit të publikuar”, bën me dije Qendra e Shërbimeve të Arsimit.

Për shkak të situatës së krijuar në vend nga Covid-19, edhe për këto profile testimi i informatizuar do të zhvillohet duke ndjekur me kujdes protokollet e higjienës dhe distancimit fizik të rekomanduara nga dikasteri i Shëndetësisë.

Gjatë pjesëmarrjes në provim, kandidati duhet të ketë parasysh dhe të zbatojë rregullat e përcaktuara. Kështu, duhet të paraqiteni pranë QSHA-së 30 minuta përpara orarit të publikuar për zhvillimin e testimit, teksa duhet të jeni detyrimisht të pajisur me këto dokumente: “Letërnjoftim (Kartë ID ose Pasaportë, dokumenti origjinal) dhe kopje të tyre, si dhe faturën origjinale me vulën përkatëse, të pagesës së tarifës së provimit për llogari të QSHA, të kryer në një bankë të nivelit të dytë bazuar në herën e pjesëmarrjes, si dhe mjetet mbrojtëse ndaj Covid-19”. Kandidatët, të cilët nuk paraqesin këto dokumente, nuk mund të marrin pjesë në provimin e shtetit.

Në ndihmë të kandidatëve që do testohen në këtë sezon, ekspertët e Qendrës së Shërbimeve të Arsimit kanë detajuar edhe fondin e mijëra pyetjeve nga të cilat do të përzgjidhen edhe pyetjet që do të jenë pjesë e tezës së provimit të licencës. Në këto kushte, çdo kandidat mund të orientohet rreth përmbajtjes që do të ketë testi i licencës, duke u njohur me fondin e detajuar të pyetjeve që gjendet në faqen online të QSHA-së.

Personi, që kërkon të ushtrojë një profesion të rregulluar, duhet të ketë përfunduar programin përkatës të akredituar të studimit, si dhe kualifikimet profesionale në atë profesion, të cilat duhet të vërtetohen me dokumente zyrtare, të lëshuara nga institucionet përgjegjëse brenda ose jashtë vendit dhe të njohura në Republikën e Shqipërisë, në përputhje me legjislacionin në fuqi për profesionet e rregulluara.

Më poshtë listat e emrave:

dentistet

farmaci

fizioterapi

imazheri

laborator