Teksa qeveria ka publikuar nismën për krijimin e një regjistri ku një sërë intsitucionesh do të kenë akses tek llogaritë bankare të individëve dhe bizneseve, Drejtorja e Tatimeve Delina Ibrahimaj, e ftuar ne emisionin “E –Zone” sqaron se si do të zbatohet në praktikë. Sipas znj. Ibrahimaj, qëllimi është që cdo tatimpagues që ka kryer evazion apo ka detyrime të prapambetura të mund të mund të gjurmohet edhe nëpërmjet llogarive që ka në posedim.

“Ne si administratë tatimore do të kemi akses për tatimpagues të cilët u janë shmangur detyrimeve tatimore, pra janë debitorë, apo edhe në ato raste kur hetimi tatimor ka nisur një proces ndaj një subjekti të caktuar. Në çdo rast, nuk bëhet fjalë për gjendjen e llogarisë së subjektit, por thjesht si numër llogarie”, thotë Ibrahimaj.

Në finale, synimi është që pas një verifikimi të hollësishëm, çdo subjekti që është në hetim apo akuzë për evazion t’i bllokohen llogaritë, me qëllim kthimin e parave. Pjesë e këtij regjistri do të jetë edhe Drejtoria e Parandalimit dhe Pastrimit të Parave, pasi subjektet janë edhe individët e dyshuar për aktivitet kriminal.